
Partia Socialiste i ka drejtuar një letër Komsionit të Ankimeve dhe Sanksioneve disa ditë pas rinisjes së procesit të numërimit të votave në Qarkun Tiranë.
PS ka shprehur shqetësimin pas shpalljes së pavlefshme nga ana e KAS e fletëve të votimit ku shenja dalluese që shpreh vullnetin e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë.
Sipas kësaj force politike, ky vendim është marrë në kundërshtim me praktikën zgjedhore ndër vite, si dhe kuadrin ligjor.
“Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për ‘Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme”, theksohet në shkresë.
Kjo forcë politike thekson vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si të pavlefshme ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të Partisë Socialiste.
“Kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave”, shkruhet në letrën drejtuar KAS.
SHKRESA DREJTUAR KAS:
LËNDA:
Mbi vlerësimin e fletëve të votmit gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë
DREJTUAR:
Komsionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (K.A.S).
Të nderuar anëtarë të Komisionit!
Subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë ka ardhur në dijeni të vendimmarrjes tuaj gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë, nga ku rezulton se fletët e votimit në të cilat shenja dalluese që shpreh vullnetin e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë, janë vlerësuar si të pavlefshme nga ana juaj, në kundërshtim me praktikën zgjedhore ndër vite, si dhe kuadrin ligjor.
Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për ‘Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme.
Sa më sipër, duke qenë se vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si më lart si të pavlefshme, ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, duke sjellë si pasojë ndryshimin e tyre në tabelën përmbledhëse, siç na ka rezultuar deri në këtë fazë, kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave.

















