Parandalohet grabitja e 50 milionë eurove nga llogaritë e shqiptarëve. Arrestohen dy kinezë në Tiranë
Dritare.net

Një operacion i suksesshëm i Drejtorisë së Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka çuar në parandalimin e një tentative masive për vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të mbi 5 mijë shtetasve shqiptarë.
Në kuadër të hetimeve u arrestuan dy shtetas kinezë, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç, të cilët akuzohen për ngritjen e një skeme mashtruese online përmes krijimit të faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, shuma që rrezikonte të vidhej përmes kësaj skeme përllogaritet në rreth 5 miliardë lekë, ose 50 milionë euro, të cilat do të tërhiqeshin nga llogaritë bankare të qytetarëve shqiptarë.
Dy kinezët kishin mbërritur në Tiranë disa ditë më parë dhe ishin akomoduar në një hotel pranë qendrës së kryeqytetit, ku policia gjeti dhe sekuestroi materiale të shumta të rëndësishme për hetimin, përfshirë 17 telefona celularë, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti dhe një patentë.
Hetimet zbuluan se përmes një linku mashtrues që imitonte faqen zyrtare të Postës Shqiptare, qytetarëve u dërgoheshin mesazhe që i shtynin të klikojnë mbi to. Klikimi i linkut u jepte akses autorëve tek të dhënat personale dhe bankare të viktimave, të cilat më pas planifikohej të përdoreshin për transferime të paligjshme fondesh nga jashtë vendit.
Sipas Policisë, Krimi Kibernetik kishte monitoruar aktivitetin e grupit përmes “dark web” dhe burimeve të hapura në internet, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të tyre.
“Falë hetimit të specializuar dhe ndërhyrjes në kohë, është parandaluar një dëm financiar që mund të kishte pasoja të mëdha për qytetarët shqiptarë,” – theksojnë burime nga Policia e Shtetit.
Hetimet janë ende në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë rrjet ndërkombëtar mashtrimi kibernetik./L.F-dritare.net