
Një hall i madh prindëror për Arsimin në Shqipëri!
Dritare.net
Prof.asoc.dr. Marenglen Kasmi
Studiues / pedagog – Botuar në DITA
Shkak për këtë shkrim nuk është vetëm përvoja ime shumëvjeçare si pedagog në arsimin universitar e pasuniversitar, por edhe – dhe ndoshta më fort se kurrë – halli prindëror, që më ka vënë përballë një dileme të madhe: në cilin gjimnaz duhet të shkojë vajza ime? Dhe, më keq akoma: a ka vërtetë rëndësi se ku?
Përballë këtij shqetësimi shumë personal, më është ngulitur fort në mendje një e vërtetë që nuk ka më nevojë për prova teorike – sistemi ynë arsimor ka hyrë në një fazë ku përmbajtja nuk përbën më as kriter, as garanci dhe as diferencë.
Nuk ka më rëndësi nëse e çon fëmijën në një shkollë publike apo private: në fund, me shumë gjasa, ai do të jetë produkt i një sistemi ku nota është simbolike, diploma është formale, dhe dija – më së shpeshti – është vetëm një përfytyrim.
Dy rrugë që përfundojnë në të njëjtën humnerë
Në të ashtuquajturat “shkolla pa lekë”, d.m.th. publike, fëmija përballet me ngarkesë të tepruar numerike nxënësish, plogështi të mësuesve, mungesë të mjeteve bazë dhe shpesh me realitete sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e të nxënit. Mësuesi, i tejlodhur dhe i nëpërkëmbur nga një sistem pa motivim, nuk ka më kohë të ndalet te individi, te talenti ose nevoja specifike e nxënësit.
Në shkollat “me lekë”, d.m.th. private, situata është disi më e qetë, më e pastër, ndoshta më estetike, por diferenca përmbajtësore nuk është thelbësore. Shpesh, aty mbizotëron formalizmi: pra, një lloj profesionalizmi që rrotullohet rreth formalizimit, përmbushjes së planit dhe krijimit të një atmosfere kontrolli, por pa frymë të vërtetë pedagogjike.
Edhe në këto shkolla, në shumë raste, nota është një mekanizëm pa përmbajtje, dhe suksesi matet me manipulimin e testeve përfundimtare dhe rritjen fiktive të notës mesatare të shkollës në tërësi dhe jo me zotërimin e dijes.
Kështu, si prind, ti ndihesh i dorëzuar.
Sado të kërkosh, të analizosh e të pyesësh të tjerët e kupton që shkolla, si institucion i dijes dhe formimit është zbehur deri në pikën ku ajo ofron vetëm pasiguri. Ndaj me shumë gjasa, unë do ta zgjidh “hallin”, duke ju referuar dëshirës së vajzës dhe përpjekjes për të gjetur një shkollë ku ajo është disi e ruajtur nga problemet sociale të moshës, si pasojë e punës së ndonjë “drejtori a mësuesi xhelat”, specie në zhdukje e “sistemit arsimor të keq monist”, ku mësuesi ishte mësues.
Sa për financimin, edhe ky një hall më vete. Jetojmë në një vend ku profesori paguhet njësoj si lavazhieri apo kamarieri – me gjithë respektin për ta, e punën që ata bëjnë. Kështu që babai “profesor-lavazhier”, me shumë gjasa do të hyjë në “agjërim të gjatë, disavjeçar e shumëdimensional”.
Një krizë që nuk i përket vetët së sotmes, por më shumë së ardhmes
Kjo nuk është më një krizë administrative apo organizative. Kjo është një krizë e mirëfilltë shoqërore, kulturore dhe morale, ku vetë koncepti i arsimit është zhvleftësuar. Prej vitit 1990, e sidomos prej liberalizimit të arsimit në vitin 2008 – çka çoi në lindjen e shumë institucioneve arsimore kapaçka, ku dija u kthye në biznes, ne po shohim gjithmonë e më tepër një sistem që po prodhon më shumë diploma se dije, më shumë tituj akademikë se kompetenca, më shumë kualifikime se aftësi të vërteta.
“Mastër-mania” është shndërruar në një model të neveritshëm, i cili për fat të keq stimulohet nga sistemi. Puna ka arritur deri aty, saqë punëdhënës seriozë privatë, kërkojnë më tepër punëmarrës me një diplomë të saktë, e mundësisht deri në fillimvitet 2000, sesa “koleksionistë masterash”. Ndërsa administrata, e cila ecën kundër rrymës së zhvillimit, sa më i pasur të jetë koleksioni i pseudo-diplomave, aq më i pëlqyer është punëmarrësi.
Faji nuk qëndron vetëm te qeverisja aktuale, ndonëse pas më shumë se 12 vitesh në pushtet, ajo nuk mund të shmangë përgjegjësinë për gjendjen e sotme. Problemi është më i thellë. Ai është pasojë e dështimit të gjithë klasës politike të këtyre dekadave – një kastë që e trajtoi arsimin si fushë për manipulim statistikor, si hapësirë tenderash ose si trampolinë për përfitime klienteliste, dhe asnjëherë si themel i shtet-formimit modern dhe emancipimit qytetar.
Dhe jo, nuk mund të fshihemi më pas justifikimit të vjetër, që “jemi ende në tranzicion”. Sepse një vend që 35 vjet pas rënies së sistemit totalitar, ende e quan veten në tranzicion, është në një krizë të thellë identiteti. Të paktën për arsimin, kjo gjë duhet pranuar dhe e vërteta duhet parë në sy.
Politika e ekselencës së rreme dhe realiteti i zbrazëtisë akademike
Në vazhdim të fillit të mësipërm, ka ardhur koha të pranojmë një realitet të dhimbshëm. Sot, universiteti shqiptar është bërë vendi ku diploma është qëllimi, dhe jo rezultati i dijes së fituar. Në shumë raste, studentët nuk denjojnë të ndjekin më leksionet, por paraqiten vetëm në provimin përmbyllës. Më pas, jo rrallë, përfundojnë me nota të larta, madje me “shkëlqyeshëm”, ndonëse shumë prej tyre nuk kanë përfituar asnjë dije, për të mos folur për mangësitë elementare në gjuhën shqipe, në logjikë, në shprehje të mendimit etj.
Ka edhe prej tyre që guxojnë të kërcënojnë pedagogun, nëse ai nuk i jep notën maksimale, çka mund t’i prishë atij mesataren, e si pasojë mund të shpjerë në ndërprerjen e bursës apo mundësisë që ai të marrë diplomën e ekselencës nga dora e Kryeministrit. Paçka se ka shumë prej tyre që në provim i kërkojnë pedagogut një stilolaps për të shkruar. Nuk po e ekzagjeroj, më ka ndodhur mua dhe jo vetëm njëherë! Vijnë në provim vetëm me celularin në duar, i cili tashme ka marrë edhe rolin e “kopjes dixhitale”.
Sa më sipër, i nderuar Kryeministër, ndonëse e kuptoj mospërfshirjen tuaj, përpara se të shpërndani diplomat e ekselencës dhe t’i ktheni ato pa dashur në shfaqje publike të vetëlavdërimit institucional, bëni një hap pas dhe shikoni rezultatet reale të shumë prej këtyre “ekselentëve”. Nxënësit dhe studentët që vlerësohen si “më të mirët” në Shqipëri, dështojnë kur vihen përballë standardeve ndërkombëtare.
Këtë e vërteton më së miri edhe TestAS, që zhvillohet nga DAAD (Shërbimi Gjerman i Shkëmbimit Akademik) dhe në Shqipëri organizohet nga Goethe-Zentrum Tirana, i cili klasifikon nivelin e njohurive të përgjithshme për studentët e huaj që duan të studiojnë në Gjermani. Përvoja tregon se shumica e “ekselentëve tanë”, në këtë test marrin 60–70% të pikëve, pra notën 6 apo 7.
Nuk është turp të mos marrësh notën 10. Turpi i vërtetë është të prodhosh masivisht diploma të pavërteta dhe të joshësh të rinjtë me një sukses që nuk mbështetet në aftësi reale. Dhe këtu sigurisht nuk është faji i nxënësve, por i sistemit të dështuar.
Pakti Kombëtar për Arsimin: Mundësia e vetme për të dalë nga kolapsi
Përballë këtij realiteti, çdo reformë teknike është e pamjaftueshme, nëse nuk bazohet në një pakt të ndërtuar mbi profesionalizmin, sinqeritetin, përkushtimin dhe vullnetin për të ndalur vazhdimin e rënies së lirë të arsimit në Shqipëri. Kjo marrëveshje duhet të jetë shumë më tepër se një strategji politike ose një plan qeveritar. Duhet të jetë një dakordësi e thellë kombëtare, që të vendosë mbi bazë konsensusi prioritetet e zhvillimit strategjik të arsimit për dekadat e ardhshme.
Pa këtë Pakt, çdo përpjekje për të rregulluar detajet – programet mësimore, tekstet, orët mësimore, platformat online – do të jetë kotësi mbi kotësi. Sepse sëmundja ka depërtuar në palcën e sistemit, dhe paracetamoli nuk është më ilaç çudibërës.
Kjo marrëveshje duhet të garantojë që arsimi të mos jetë më arenë e ndërhyrjeve politike të përkohshme, por sektor i mbrojtur me konsensus ligjor dhe institucional. Ajo duhet të garantojë që financimi të jetë prioritet i buxhetit dhe jo thërrime në fund të tabelës buxhetore. Duhet të krijohet po ashtu një këshill kombëtar i pavarur, që të kontrollojë dhe vlerësojë në mënyrë të ndershme dhe periodike cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet.
Mbi të gjitha, kjo marrëveshje a pakt, duhet të ndërtojë një kulturë të re shoqërore, ku mësuesi është i nderuar dhe mirëpaguar, nxënësi është i motivuar, prindi është i përfshirë dhe politika mban përgjegjësi. Përndryshe, nuk kemi ç’t’i kërkojmë as sistemit arsimor, as vetë shoqërisë.
“Schule der Zukunft” – Shkolla e së ardhmes
Ndërsa ne përpiqemi të mbijetojmë mes improvizimeve dhe iluzioneve, vendet e zhvilluara po investojnë fuqimisht në dijen e së ardhmes. Gjermania, për shembull, përmes projektit kombëtar “Schule der Zukunft” (Shkolla e së ardhmes) po ndërton një koncept tërësisht të ri të edukimit, të bazuar mbi kompetencat reale që i duhen qytetarit të shekullit XXI: mendim kritik, aftësi për bashkëpunim, etikë qytetare, kompetenca ndërkulturore, përdorim inteligjent të teknologjisë, dhe një sistem mësimdhënieje të personalizuar që njeh ritmin dhe nevojat e çdo nxënësi.
As në Gjermani arsimi nuk është i përkryer. Vitet e fundit, edhe atje është rritur shqetësimi për rënien e rezultateve në testet ndërkombëtare, për pabarazitë arsimore që prekin fëmijët me prejardhje emigrante dhe për mungesën e mësuesve në disa lëndë. Pandemia e përkeqësoi edhe më tej hendekun dhe zbërtheu probleme strukturore që ishin mbuluar për shumë kohë pas një fasade efikasiteti. Por, ndryshe nga Shqipëria, aty është hapur një debat i thellë kombëtar për reformimin e strukturës së shkollës, që nga kurrikulat e deri te forma e bashkëjetesës sociale brenda mureve të saj.
Në vend që të ndreqin copëza të veçanta të sistemit, gjermanët po përpiqen të rishikojnë vetë kuptimin e edukimit në një botë që ndryshon me shpejtësi. Reforma nuk shihet më si një përditësim teknik, por si një transformim kulturor: nga një shkollë që transmeton përmbajtje, drejt një shkolle që zhvillon karakter, vetëdije kritike dhe përgatitje për sfida që ende nuk kanë emër. Në këtë kontekst, arsimi konsiderohet jo vetëm si sektor social, por si infrastrukturë e së ardhmes, njësoj si energjia apo teknologjia.
Ndërkohë, në Shqipëri, ne ende përpiqemi të sqarojmë se çfarë duhet të mësohet në klasën e parë, apo nëse duhet të ketë orë laboratorike në shkollat e mesme. Ende ndryshojmë tekstet sipas përkatësisë politike të autorëve, trajnojmë mësuesit vetëm për efekt raportimi, dhe mendojmë se dixhitalizimi i arsimit përmbushet me një tablet dhe një aplikacion.
Kjo është një diferencë e madhe dhe fatkeqësisht, hendeku po zgjerohet.
Diferenca qëndron jo vetëm në burimet, por në qasjen themelore. Gjermanët e shohin arsimin si projekt kombëtar të pandalshëm, ne e shohim si fushë të improvizimeve të përkohshme. Ata e matin suksesin me barazinë e mundësive dhe zhvillimin e kompetencave të thella, ne me diplomën e marrë dhe notën e raportuar. Ata shqetësohen kur bien 10 pikë në PISA, ne jemi të kënaqur me nota artificialisht të larta në provime të lehta, në një sistem që nuk i kërkon asgjë nxënësit, dhe as vetes.
Shqipëria nuk ka më luksin të presë. Të gjithë jemi në të njëjtin hall: prindër që kërkojnë një shkollë ku fëmija të mësojë e jo thjesht të kalojë klasën, mësues që ndihen të lënë në harresë, studentë që diplomohen me shpresë të zbehur, një shoqëri që ngadalë po humbet besimin te vetja dhe te e ardhmja.
Kjo nuk është vetëm krizë e arsimit. Kjo është kriza e shpresës. Kjo është krizë e së ardhmes. Dhe çdo ditë që kalon pa një përballje serioze me të, është një ditë e humbur për vendin.
Çfarë duhet bërë?
Është e lehtë të thuash “duhet reformuar Arsimi”. Është shumë më e vështirë të ndërtosh një reformë që të mos jetë e përkohshme, sipërfaqësore apo e dështuar si shumë të tjera më parë. Përvoja shqiptare ka treguar se edhe idetë më të mira, nëse futen në një sistem të sëmurë, kthehen në dështim ose në farsë. Prandaj, zgjidhjet që nevojiten nuk duhet të jenë thjesht masa teknike apo ndërhyrje administrative. Ato duhet të jenë politike në kuptimin më të mirë të fjalës: të ndërtojnë vullnet dhe kulturë të re institucionale, të garantojnë cilësi të qëndrueshme dhe të vendosin arsimimin në themel të zhvillimit kombëtar.
Për këtë gjë duhet që së pari, Pakti Kombëtar për Arsimin duhet të jetë pika e fillimit dhe jo e fundit. Reforma nuk fillon me ndryshimin e librave, as me shtimin orëve të mësimit. Ajo fillon me krijimin e një konsensusi kombëtar që e pranon realitetin dhe vendos përparësitë.
Ky pakt, i nënshkruar nga qeveria, opozita, universitetet, Akademia e Shkencave, sindikatat, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e prindërve, do të shënonte për herë të parë daljen nga improvizimi drejt qëndrueshmërisë. Kjo marrëveshje do të garantonte që arsimi të mos jetë më arenë e manipulimeve të përkohshme, por një fushë e mbrojtur me pakt kombëtar, që nuk ndryshon me çdo mandat qeveritar. Sigurisht që qeveria ka miratuar “Strategjinë Kombëtare për Arsimin 2021–2026”, por kjo strategji është një dokument politikash i miratuar nga Këshilli i Ministrave, që përcakton objektivat dhe prioritetet për zhvillimin e arsimit në Shqipëri.
Megjithatë, ajo nuk përbën një marrëveshje të nënshkruar nga të gjitha palët e interesuara, siç do të ishte një marrëveshje shoqërore gjithëpërfshirëse.
Së dyti, ne folëm për gjithë sistemin arsimor, ndonëse më së shumti diskutimet fokusohen te arsimi universitar, pasi aty shfaqen problemet më të shumta sepse ai përbën si të thuash majën e ajsbergut të dështimit të sistemit arsimor.
Kësisoj, duhet që të aplikohet një rikthim i përkohshëm në modelin shtetëror të arsimit të lartë. Autonomia universitare, në një vend ku institucionet publike janë të zhveshura nga kapacitetet reale dhe nga ndershmëria akademike, ka prodhuar më shumë kaos sesa zhvillim. Në vend të një autonomie të përgjegjshme, shpesh kemi pasur vetëadministrim mediokër dhe të politizuar. Mekanizmi i votës për zgjedhjen e stafeve akademike drejtuese, ka rezultuar katastrofal. Por kjo çështje meriton një trajtim të veçantë.
Rikthimi në një sistem shtetëror – jo për ta kontrolluar atë politikisht, por për ta financuar, ndihmuar dhe reformuar me përgjegjësi të plotë shtetërore – do të ishte një hap i domosdoshëm drejt normalizimit. Autonomia mund të rivendoset vetëm pasi të jenë përmbushur kushtet themelore të funksionimit të një universiteti të shëndoshë.
Duhet pasur parasysh që zgjidhja e problemit nuk është orientimi i studentëve drejt universiteteve private, të cilët përbëjnë padyshim një alternativë të mirë dhe që duhet mbështetur, por më së pari duhet qe politikat shtetërore arsimore t’i shërbejnë shëndoshjes së arsimit publik. Nëse arsimi publik vjen në “tarbjet”, edhe privati është i detyruar të përmirësojë standardet e tij, pasi është çështje e konkurrencës.
Së treti, vlerësimi i cilësisë së arsimit. Është e gabuar të thuash se Shqipëria nuk ka institucione për vlerësimin e cilësisë në arsim. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) ekzistojnë prej vitesh dhe në letra kanë kompetenca të qarta. Por përvoja ka treguar se ekzistenca e tyre nuk është asnjëherë e barabartë me funksionimin real.
Këto struktura shpesh kanë funksionuar si mekanizma formale, të varura nga Ministria e Arsimit, të dobëta në burime dhe pa pavarësi për të dhënë gjykime reale. Vlerësimet që kryejnë janë më shumë procese burokratike se sa analizë substanciale të cilësisë së mësimdhënies, përmbajtjes kurrikulare apo rezultateve të të nxënit. Ndaj, nuk kërkohet thjesht një tjetër agjenci, por një rikonceptim i plotë i rolit të vlerësimit të cilësisë në arsim, me një strukturë të re ose të riformatuar që të jetë vërtet e pavarur nga politika dhe e garantuar me ligj.
Ajo duhet të zhvillojë në vazhdimësi testime të ngjashme me kërkesat e standardizuara të testeve ndërkombëtare PISA, PIRLS, TIMSS dhe pse jo edhe TestAS, për të matur jo vetëm njohuritë, por edhe kompetencat reale që fitohen në shkollë dhe rrjedhimisht edhe orientimin dhe përshtatjen e kurrikulave shkollore sipas nevojave të shfaqura; të publikojë raporte të hapura, krahasuese dhe të detajuara për performancën e çdo niveli të arsimit, përfshirë universitetet, për të rritur llogaridhënien dhe transparencën etj. Vetëm në këtë mënyrë, nuk do të vlerësojmë më me fjalë të bukura, por me të dhëna objektive, të krahasueshme dhe të besueshme.
Sepse një sistem që nuk matet realisht, nuk përmirësohet kurrë.
Është momenti që të gjithë, si prindër, mësues, akademikë, politikëbërës e qytetarë të kuptojmë se nuk mund të ketë zhvillim real pa arsim të vërtetë.
Dhe arsim i vërtetë nuk është çështje letrash, fasadash apo sloganeve të mira – është çështje vizioni, përkushtimi dhe guximi për të thënë të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë./gazetadita

















