Nga punimi i parë në moshën 6-vjeçare tek organizata e grave! Kjo është Bruna, që mban gjallë artin e punimit me shtiza!
Dritare.net
Nga Rovena Kallço
Për më shumë se katër dekada, Brunilda Zguro ka ruajtur me përkushtim një nga traditat më të vjetra të artizanatit punimin me shtiza, grep dhe qëndisje. Sot, në moshën 55-vjeçare, ajo vazhdon të krijojë me pasion punime të tilla.
Historia e saj fillon në një moshë shumë të re, kur për herë të parë kapi shtizat në duar.
“Unë këtë zanat e kam marrë nga dy gjyshet e mia. E rritur nga gjyshet e mësova këtë zanat dhe jam munduar që me fanatizëm ta ruaj. Punimin tim të parë e kam bërë kur kam qenë 6 vjeçe, kam bërë rrjetën e kallamarkës se ne shkruanim me penë dhe me bojë, dhe më pas kam bërë jakën e përparëses së shkollës.”
Brunilda ishte vetëm 6-vjeçe kur krijoi punën e sajë të parë. Gjatë 44 viteve, ajo nuk është ndalur asnjëherë. Përveç punimeve të saj që shpesh kanë zbukuruar shtëpitë e shumë familjeve dhe rrugët e qytetit të Korçës, kjo grua korçare u bë frymëzim për shumë gra të tjera.
“Para pak kohësh përfundova projektin “Një artizane një pemë’ ku zbukuruam me punëdore pemët e qytetit të Korçës.”
Bruna e cila ka krijuar organizatën e saj, ka ndihmuar gratë e tjera në zonë të gjejnë frymëzim dhe një burim të ardhurash përmes këtij zanati.
“Kam një shoqatë artizanësh "Arti në duart e gruas", kam mbi 6 vjet që e kam krijuar këtë shoqatë dhe kam mbi 80 gra artizane nga të gjitha llojet e punimeve të dorës dhe nga të gjitha llojet e moshave.”
Sot, ajo drejton një grup me shumë anëtare gra, të cilat ndajnë të njëjtin pasion për punimet me dorë. Ato krijojnë një shumëllojshmëri produktesh. Për Brunën, e ardhmja e këtij zanati nuk është vetëm në duart e grave të vjetra, por edhe të brezit të ri.
“Jam instruktore e ‘art craft’ dhe ‘fashion designer’ pranë ‘Qytezës së fëmijëve’ në Korçë dhe aty zhvillojmë lloj-lloj punimesh dhe aktivitetesh. Konkretisht ajo që unë jap dhe u sugjeroj të vegjëlve aty, që i përkasin moshës nga 6 deri në 14 vjeç, janë ruajtja e trashëgimisë kulturore, punimet e dorës, dhe krijimin e produkteve me dorë. Këtë dua që t’ia trashëgoj brezit të ri pasi e shikoj që kjo situatë ku kemi ardhur deri sot. Brezi i ri nuk ka as dëshirë dhe as interesim për të ruajtur këto zeje.”
Teksa tregon shumë krenare se vajza e saj është shumë e interesuar për këtë zanat. Ajo beson se zanatet tradicionale mund të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të inspirojnë brezat që vijnë.
“Unë jam me këtë që tradita të vazhdojë. Synimi im është që unë ta ushtroj këtë zanat edhe për 20 vite të tjera dhe t’ia lë dhe vajzës sime dhe po ja lë. Ajo fatmirësisht është e interesuar qoftë me tregun e shitjes qoftë me punën e dorës. Mundohemi ta trashëgojmë, t’ia lemë brezave të rinj se ne një ditë do ikim, por le të ngelet kjo trashëgimi se e kemi nga të parët tanë. Unë e kam shekullore.”
Në një kohë kur teknologjia po e zëvendëson gjithnjë e më shumë artizanatin e dorës, kjo grua qëndron si një simbol i përkushtimit dhe dashurisë për trashëgiminë e punës së saj. Punimet e saj janë si një copëz nga kultura e pasur korçare. Bruna ka qejf të flasë e të tregojë pa fund rreth zanatit të saj.
Me kalimin e viteve, Bruna dhe organizata e saj ka ndjerë sfidat e tregut të zanateve. Konkurrenca e tregut shqiptare me produktet masive dhe industriale e bën të vështirë për të fituar njohje dhe qëndrueshmëri jashtë vendit të saj të lindjes. Përveç kohës dhe përkushtimit që kërkon çdo produkt i saj, Bruna përballet me të ardhura të pakta në krahasim me punën që kërkon një material për t’u bërë.
“Jam munduar disa herë që të më mbështesë qeverisja lokale, kanë qenë shumë të vogla ndihmat edhe nga Ministria e Kulturës, tani po mundohemi të bashkëpunojmë me shoqata të huaja. Fondet për artizanët janë shumë të pakta. Para 10 viteve kam patur dhe një dyqan ku tregtoja punime të dorës, por në ato 10 vite dhashë shumë nga vetja ime, por nuk morra atë që doja.”
Megjithatë, kjo 55-vjeçare mbetet e përkushtuar ndaj artit të saj, duke kërkuar mënyra për të sjellë më shumë ndërgjegjësim për vlerën dhe cilësinë e veshjeve të bëra me dorë.
Një nga metodat e saj për të mbajtur gjallë traditën është fakti që Bruna përdor modele dhe metoda që janë transmetuar brez pas brezi, duke krijuar jo vetëm veshje të bukura, por dhe moderne të përshtatura më së miri me kohën.
“Tani së fundmi unë po punoj se çfarë kërkon tregu. Nuk preferohen më punimet tradicionale, perdet, kuvertat, centrot apo jastëkët e qëndisur, kërkesat janë të përqendruara më shumë te veshjet në rroba plazhi, në fustane të ndryshëm, kemi hyrë në stile të ndryshme duke përfshirë çantat dhe aksesorët, por këto nuk janë të përhershme, janë me sezone. Mundohemi të sjellim diçka ndryshe dhe po ashtu të promovojmë diçka nga ky qytet me vlera të shumta artistike.”
Punishtja e Bruna Zguros është një hapësirë e vogël dhe e ngrohtë, ku çdo detaj reflekton dashurinë e saj për artizanatin. Vendi i saj i punës, është i mbushur me fije të ndryshme ngjyrash, shtiza të madhësive të ndryshme dhe modele të përfunduara që varen nëpër mure, njësoj si te shtëpia e saj.
“Shtëpia ime duke nisur që nga muret shkallët, perdet, dritaret janë të gjitha të zbukuruara me dorë me punime me grep.”
Shpesh gjatë bisedës me Brunën hidhja sytë vërdallë dhe shikoja në një tavolinë druri te mbuluar me projekte në proces. Kjo punishte është një vend ku koha duket se ngadalësohet, dhe jetohet mes artit. Në shoqatën e krijuar nga ajo, Bruna mbledh gra nga Erseka e deri në Bilisht, duke krijuar një komunitet të vogël artizanesh të cilat ndajnë të njëjtën pasion për punimin me shtiza.
Ndonëse e nisur nga hiçi kjo nismë e 55-vjeçares ka krijuar një hapësirë ku gratë mund të shkëmbejnë eksperienca, teknika tradicionale nga njëra-tjetra.Me këtë nismë Bruna ka mbështetur dhe promovuar punën artizanale në një treg gjithnjë e më të vështirë. Për shumë prej tyre, kjo është më shumë sesa një mundësi për të shitur produktet e tyre.
“Kam rreth 70-80 gra që unë punoj që kam krijuar shoqatën e artizanëve shumica e grave këtu në Korçë punojnë të gjitha. Problemi është se ku t’i shesim ne këto prodhime, sepse nuk kemi një treg të përhershëm. Dhe arsyeja kryesore që unë krijova shoqatën në emër të këtyre artizaneve ishte që të gjejmë një treg. Rreth 40% të atyre që ne krijojmë edhe i shesim, por të tjerat na mbeten stok. Mundohemi që me njëra-tjetrën të gjejmë myshterinj, po mundohemi të hyjmë në treg.”
Bruna ka arritur të trashëgojë pasionin dhe zanatin e saj te vajza, duke e përfshirë që në moshë të vogël në artin e punimit me shtiza. Për Bruëen, kjo nuk është vetëm një mënyrë për të kaluar kohë së bashku, por edhe një përpjekje për të ruajtur një traditë familjare që ka kaluar nga brezi në brez. Vajza e saj, e cila tashmë është bërë një mjeshtre e vogël, jo vetëm që ka mësuar teknikat bazë, por gjithashtu po eksperimenton me modele të reja dhe ide kreative. Kjo lidhje e thellë midis tyre forcon edhe më shumë rëndësinë e ruajtjes së artizanatit në një botë që po modernizohet me shpejtësi./dritare.net