Nga përndjekja te vrasja! Historia tronditëse e Ilaria Sulës, e therur dhe e fshehur në valixhe nga ish-i në Romë
Dritare.net

Nga FanPage.it
Më 26 mars 2025, Ilaria Sula u vra me thikë nga ish i dashuri i saj, Mark Samson. Krimi ndodhi në banesën në rrugën Via Homs, në Romë, ku i riu jetonte së bashku me prindërit. Në shtëpi ndodhej edhe nëna e Samsonit, Nors Manlapaz. Ajo e ndihmoi djalin të pastronte dhomën e tij pas vrasjes dhe për ditë të tëra e mbajti sekret. Të dy do të përpiqen të mbrojnë njëri-tjetrin deri sa të zbulohen. Por pas pak ditësh, ndërsa trupi i Ilaria Sulës qëndronte në një humnerë, brenda një valixheje, “kështjella e gënjeshtrave” e ndërtuar nga Mark Samson shembet. Dhe ajo që e nxjerr zbuluar është edhe telefoni i ish të dashurës, të cilin ai e kishte mbajtur për ditë me vete, duke u përpjekur të largonte dyshimet nga vetja.
Roli i telefonave
Pikërisht telefoni është një element kyç në historinë e Ilaria Sulës. Ishte i rëndësishëm edhe para krimit, sepse Mark Samson e përdorte për ta spiunuar Ilarian, pasi i kishte vjedhur fjalëkalimet e llogarive të saj në rrjetet sociale dhe i gjurmonte vendndodhjen.
Sipas rrëfimit të tij, pak çaste para krimit, ai kishte parë disa biseda mes Ilarias dhe një djali të njohur në Tinder, gjë që pretendohet se çoi në vrasje. Por sidomos pas krimit, telefoni bëhet vendimtar: Mark Samson jo vetëm që e mban telefonin e Ilarias, por e përdor duke u shtirur si ajo, duke komunikuar me prindërit dhe shoqet e saj. Dhe pikërisht falë këtij telefoni, ai do të zbulohet nga hetuesit.
“Oii Ila, ku je?”
“Ju lutem përgjigju”
“Po i shqetëson të gjithë”

Është data 29 mars. Mark Samson i dërgon këto mesazhe ish të dashurës së tij. Prindërit e vajzës sapo kishin dhënë alarmin: Ilaria Sula ishte zhdukur. Atë mëngjes ajo duhej të kthehej në Terni; vëllai e priste në stacion, por ajo nuk mbërriti kurrë.
Flamur dhe Gezime, prindërit e Ilarias, pasi u përpoqën disa herë pa sukses ta kontaktonin vajzën, u nisën drejt Romës. Gjatë rrugës kontaktuan shoqet dhe bashkëjetueset e saj dhe zbuluan se Ilaria nuk ishte kthyer në shtëpi që nga 25 marsi, informon dritare.net
“Ajo kishte shkruar se ndodhej në Napoli me një djalë që kishte njohur online”, i thanë nënës së saj. “Nuk besova asnjë fjalë, vajza ime nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë dhe pastaj të zhdukej pa gjurmë”, rrëfen Gezime me zë të dridhur.

Pas kësaj telefonate, shoqet kuptojnë se mesazhet e marra që nga 26 marsi, ku Ilaria thoshte se ishte larguar me një djalë dhe ishte mirë, ndoshta nuk ishin shkruar nga ajo. Fillon përhapja e lajmit në rrjetet sociale dhe shpërndahet fotografia e saj për ta gjetur.
Në atë moment, Mark Samson dërgon mesazhe të mbushura me shqetësim, duke u shtirur sikur sapo kishte marrë vesh për zhdukjen e saj. Ai pretendon se po e kërkon, ndërkohë që e kishte vrarë dhe hedhur trupin e saj në një humnerë.
Ndërsa të gjithë përpiqen ta gjejnë vajzën, ai ndërton një histori të rreme për të larguar çdo dyshim nga vetja. Shtiret si i shqetësuar dhe bashkëpunon me policinë, duke u paraqitur para miqve dhe familjarëve si një ish i dashur i tronditur nga zhdukja e saj e çuditshme.

Marrëdhënia mes Mark dhe IlariaS
Ilaria studionte në universitetin “Sapienza” dhe jetonte në Romë me shoqet, ndërsa familja e saj ishte në Terni. Për disa muaj kishte qenë në lidhje me Mark Samson, bashkëmoshatarin e saj, por më pas vendosi ta ndërpresë lidhjen, sepse nuk ndihej më e lumtur. Ai ishte posesiv dhe i fiksuar pas saj. Mark nuk e pranon këtë vendim. Ai vazhdon ta kontrollojë, të dijë me kë flet dhe çfarë bën. Arrin madje t’i marrë fshehurazi fjalëkalimet e rrjeteve sociale dhe të lexojë bisedat e saj, duke zbuluar se ajo komunikonte me një djalë të njohur në Tinder.
Ndërkohë, sipas dokumenteve të hetimit, edhe Mark komunikonte me një vajzë tjetër dhe i kërkonte vazhdimisht të dilnin, por ajo refuzonte.
Takimi i fundit
Ai vazhdon t’i shkruajë Ilariaa duke i kërkuar të takohen:
“Hej, përshëndetje. Nuk duhet të të shkruaja, por është e rëndësishme. Duhet të flasim sepse i kam më të qarta gjërat dhe duhet të të tregoj diçka.”
Ajo përpiqet të ruajë hapësirën e saj, por në fund pranon të takohen në shtëpinë e tij mbrëmjen e 25 marsit. Pak orë më parë, Mark ishte në makinë me një shok. Një kamerë në makinë regjistron bisedën: ai është i mbushur me zemërim dhe thotë se kishte zbuluar tradhti. “Nëse fillon të më thotë budallallëqe, e mbyt në akuarium, të betohem”, i thotë shokut.
Po atë ditë, ai shkon edhe në shtëpinë e Ilarias, futet në dhomën e saj dhe hap kompjuterin, duke spiunuar bisedat para syve të shoqeve të saj, të cilat e ndalojnë të marrë kompjuterin.

Vrasja
Sipas rrëfimit të tij, Ilaria shkon në shtëpinë e Mark rreth orës 22:00. Ajo kishte me vete një çantë me rroba dhe unazën e fejesës. Të dy kalojnë natën bashkë.
Të nesërmen në mëngjes, Mark shkon në kuzhinë për t’i sjellë mëngjesin: dy kafe, bukë, pak marmelatë dhe një thikë. Në shtëpi ndodhej edhe nëna e tij. Ai tregon se pasi u kthye në dhomë, Ilaria i tregoi telefonin dhe i tha: “Tani çfarë do të bësh?”. Ai pretendon se pa disa biseda që e zemëruan dhe më pas filloi ta godiste me grushte dhe me thikë. Nëna e tij thotë se nuk dëgjoi britmat, por pa trupin vetëm kur djali hapi derën i tronditur.
Fshehja e krimit
Nëna dhe djali pastrojnë gjakun nga dhoma. Mark e vendos trupin në një valixhe dhe e çon me makinë jashtë Romës, rreth 40 km larg, ku e hedh në një humnerë. Pas krimit, ai mban telefonin e Ilarias dhe fillon të shkruajë mesazhe duke u shtirur si ajo. Më 27 mars i shkruan një shoqeje duke thënë se ndodhej në Napoli me një djalë.
Edhe babai i Ilarias merr një mesazh, por nuk e beson: ishte një përpjekje tjetër për të mashtruar dhe për të bërë të dukej sikur ajo ishte larguar me dëshirë. Mark vazhdon të luajë rolin e të dashurit të shqetësuar, madje paraqitet edhe në polici. Betohet se nuk do t’i bënte kurrë keq Ilarisë.

Më 31 mars shfaqet një postim në Instagram: “Jam mirë”. Por askush nuk e beson.

Zbulimi
Telefonat zbulojnë gjithçka. Për ditë të tëra, telefoni i Ilarisë rezulton në të njëjtën zonë, pranë shtëpisë së Mark. Vetëm më 26 mars sinjali zhvendoset në zonën ku më vonë gjendet trupi. Pas një jave, gjithçka shembet. Mark Samson arrestohet, rrëfen dhe i çon hetuesit në vendin ku kishte hedhur trupin.
Telefoni i Ilarisë, një objekt i vogël por vendimtar, bëhet çelësi për zbardhjen e krimit. Ai nuk ishte hedhur siç pretendonte Mark, por ishte fshehur në shtëpinë e tij, nën dyshek, duke shënuar fundin e mashtrimit të tij./K.C/dritare.net