Donald Trump kërcënon: Do ta shkatërrojmë energjinë e Iranit
Dritare.net

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin sulme të rënda ndaj infrastrukturës energjetike iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje për uljen e tensioneve në rajon, tha sot sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Sipas deklaratave të saj, SHBA-ja mund të “shkatërrojë plotësisht” centralet elektrike dhe burimet kryesore të naftës në Iran, në rast se autoritetet iraniane nuk bien dakord për një zgjidhje dhe nuk rihapin Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Karoline Leavitt theksoi se një marrëveshje është ende e mundur dhe se negociatat mund të japin rezultat në ditët në vijim, por paralajmëroi se në mungesë të progresit, SHBA-ja do të ndërmarrë veprime shumë më të ashpra ushtarake.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet jetike për ekonominë globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e furnizimit botëror me naftë. Çdo bllokim i saj ka ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare dhe çmimet e energjisë.
Deklaratat e fundit vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe pasoja të gjera ekonomike dhe gjeopolitike./K.C/dritare.net