Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga mjekësia dhe agroturizmi, sipërmarrësit në garë për deputet

Nga mjekësia dhe agroturizmi, sipërmarrësit në garë

Ndër vite në legjislaturat e mëparshme parlamentare kanë qenë të shumtë ligjvënësit që vinin nga bota e sipërmarrjes.

Edhe në listat e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025 nuk do të mungojë kandidimi i figurave të reja, aktivë në fushën e biznesit.

Vasil Llajo, Skënder Pashaj, Edvin Prençe, Marjana Koçeku janë 4 sipërmarrës aktualisht aktivë që do të garojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare për të qenë deputetë në katër vitet e ardhshme.

Ndërsa, emra të tjerë sipërmarrësish që kanë kaluar në zotërues pasiv të kuotave të bizneseve, si Flamur Hoxha, Agron Shehaj dhe Vullnet Sinaj do të garojnë për një tjetër mandat.

Në zgjedhjet parlamentare të 2025-s emrat e kandidatëve që do të garojnë për deputetë janë të ndarë në dy lista: e mbyllur dhe lista e hapur.

Lista e mbyllur apo siç njihet ndryshe lista e sigurt, renditja e të cilëve është në dorë të drejtuesve të subjekteve politike. Lista e mbyllur përbën 1/3 e fillimit të listës së kandidatëve.

Pas 1/3 së emrave të listës së mbyllur vijohet me emrat e kandidatëve për listën e hapur, ku gara mes tyre pritet të jetë më e fortë, pasi do të luftohet për votën e drejtpërdrejtë të elektoratit.

Psh. nëse në një qark me 9 mandate, një prej subjekteve që garon fiton 4 deputetë, 3 emrat në listën e mbyllur hyjnë automatikisht në Kuvend. Kandidatët e listës së hapur do të luftojnë për mandatin e katërt që do të arrijë të sigurohet prej atij që fiton më shumë vota.

Sipërmarrësit e rinj që garojnë

Themeluesi dhe drejtuesi i rrjetit të laboratorëve privatë “Intermedica” z. Vasil Llajo është një nga kandidaturat që do të garojë në listën e hapur të qarkut të Vlorës për Partinë Socialiste.

Vasil Llajo me profesion mjek, në korrik të vitit 1992 u largua në Greqi ku nisi punën si mjek anestezist/reanimator në spitalin KAT Hospital, një ndër më të mëdhenjtë në Greqi për traumatologjinë dhe ortopedinë. Pas 3 vitesh punë eksperience në KAT Hospital, rikthehet në Shqipëri, ku në vitin 1995 kryen investimin për ekzaminimet e para mjekësore me skaner nga rrjeti i laboratorëve privatë “Intermedica”.

Sipërmarrësi Skënder Pashaj është vendosur i kartërti në listën e mbyllur të Partisë Socialiste për garën në qarkun e Durrësit. Skënder Pashaj është themelues i kompanisë “Fital”, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në sektorin e manifakturës me rreth 790 të punësuar.

Një tjetër sipërmarrës i sektorit të tekstilit dhe këpucëve do të garojë për partinë Socialiste në qarkun e Durrësit.

Edvin Prençe administratori i një biznesi ne sektorin Manifakture te veshjeve njëkohësisht dhe drejtues i Shoqatës ProEksport Albania rezulton si kandidaturë zyrtare në listën e hapur të qarkut të Durrësit.

Zoti Prençe tha për Monitor se angazhimi i tij në këtë proces është i frymëzuar nga dëshira për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të Durrësit dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët e tij.

“Do të sigurohem që interesat e sektorit privat të jenë të mbrojtura dhe të përkrahura në çdo hap të zhvillimit ekonomik si dhe rritjen e sektorit eksportues i cili është më i godituri këto kohë. E gjitha për të përgatitur bizneset për Shqipërinë e 2030 dhe tregut europian”, pohoi ai. Ftesa për kandidim në zgjedhjet e 11 Majit është e para që i bëhet z. Prençe nga subjektet politike.

Marjana Koçeku themeluesja e agroturizmit “Neomalsorja” është e parë kandidaturë në listën e mbyllur për qarkun e Shkodrës për garën e Partisë Socialiste.

Neomalsore” Agroturizëm, tashmë një emër i njohur në fushën e turizmit rural në Shqipëri, ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtare, përfshirë ato të mëdha, si shembull i suksesit të një nisme të krijuar nga dashuria për natyrën, traditën dhe fshatin./ Dorina Azo/monitor.al