
Kremrat e Le Roche-Posey dalin me kimikate që shkaktojnë kancer
Dritare.net
Kremrat e akneve nga shitësit me pakicë, duke përfshirë Walgreens, La Roche-Posay dhe Proactiv janë tërhequr vullnetarisht për shkak të niveleve të larta të një agjenti që mund të shkaktojë kancer.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave lëshoi një njoftim për tërheqjen e gjashtë produkteve, duke përfshirë pastruesin Walgreens për kontrollin e akneve, eksfoliuesin Proactiv për zbutjen e lëkurës, SLMD benzoyl peroksid locion për puçrra fytyre dhe La Roche-Posay Effaclar Duo Treatment për aknet me veprim të dyfishtë.
FDA tha se produktet po tërhiqen pasi kanë në përbërjen e tyre benzen.
Benzeni është një kimikat që përdoret shpesh për të prodhuar një sërë produktesh në SHBA, duke përfshirë detergjentë, ngjyra dhe ilaçe, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të benzenit në ajër mund të shkaktojë leuçemi, ose kancer të organeve të formimit të gjakut, sipas CDC.
Në njoftimin e tërheqjes, FDA-ja theksoi se produktet e kujdesit të lëkurës që tërhiqen vullnetarisht kanë një rrezik "shumë të ulët" për të shkaktuar kancer.
“Edhe me përdorimin e përditshëm të këtyre produkteve për dekada, rreziku që një person të zhvillojë kancer për shkak të ekspozimit ndaj benzenit që gjendet në këto produkte është shumë i ulët.", thuhet në njoftim.
Tërheqja e këtyre produkteve është vetëm në nivelin e shitjes me pakicë, që do të thotë se FDA-ja po u kërkon shitësve me pakicë të heqin produktet nga raftet e dyqaneve dhe tregjet online.
Konsumatorët që mund të kenë blerë produktet e tërhequra nuk janë udhëzuar të ndërmarrin asnjë veprim, sipas FDA-së.
Produktet e tërhequra kanë data skadence që variojnë nga prilli 2025 deri në mars 2026./K.C/dritare.net

















