
Donatella Versace, e cila pas gati 30 vitesh si drejtore kreative dhe figurë simbolike e shtëpisë së themeluar nga vëllai i saj në vitin 1978, njoftoi dje se do të largohet nga detyra dhe do të zëvendësohet nga Dario Vitale.
Lajmi nuk ishte i papritur.
E paarsimuar dhe për një kohë të gjatë indiferente, nuk dukej kurrë se do të bëhej një nga stilistet më të famshme në botë. Në vitin 1997, vëllai i saj i madh dhe "partneri në krim" në të gjitha sipërmarrjet e saj revolucionare, u vra jashtë rezidencës së tij në Miami.
Më pas Donatella, motra e vogël e llastuar u detyrua të merrte një pozicion përgjegjësie që e kishte rënduar për shumë dekada.
Ajo vajtoi për të vëllanë, jetën e saj të shkujdesur, si dhe bashkëpunimin e tyre krijues, duke fajësuar veten se nuk ishte me të kur u qëllua. Ata të dy ishin jashtëzakonisht të afërt.
Ajo ishte muza e Gianni-t, duke e inkurajuar gjithmonë që t'i bënte dizajnet e tij më të afërta, më seksi, më të guximshme. Dhe befas, asaj iu desh të menaxhonte një biznes të dështuar, një martesë të dështuar dhe dy fëmijë "të traumatizuar", botët e të cilëve ishin kthyer përmbys nga vdekja e xhaxhait të tyre të dashur.
Ajo që e shpëtoi ishte forca, mirësia dhe humori, në momentet më të errëta. Edhe pse paparacët e ngacmonin pa pushim, ajo dikur tha se gjumi i saj i bukurisë ishte “fjetja në frigorifer”. Si një ikonë e botës së homoseksualëve, ajo ishte plotësisht e vetëdijshme për shakanë, duke u tallur me veten për veshjen e takave të larta edhe në palestër, si dhe dashurinë e saj për gjërat ekstra. Në Versace, "më pak është më shumë" është thjesht e mërzitshme.
Por pavarësisht talentit të saj dhe instinktit të pagabueshëm për foto të mira, marka nuk e arriti kurrë famën që kishte kur drejtohej nga Gianni. Ndërsa në fillim ajo solli një qasje më praktike dhe më pak teatrale, ajo nuk arriti kurrë ta vendoste axhendën në modë, si ai. Pavarësisht gjithë kësaj, ajo kishte aftësinë për të krijuar momente të mëdha dhe të rëndësishme në modë.
Fustani i veshur nga Jennifer Lopez në Grammy 2000, aq i famshëm sa Google krijoi kërkimin e imazheve për të përmbushur kërkesën, u projektua nën mbikëqyrjen e Donatellës. “Gjëja e mahnitshme e këtij fustani është se ishte krejtësisht spontan në krahasim me atë se si janë planifikuar gjërat tani. Ajo thjesht e pëlqeu dhe e veshi atë. Nuk mendoj se ka menduar shumë për pasojat." tha Versace.
Pavarësisht veshjes së Lopez, sfilatës së pranverës 2018 me pesë modelet më të mira të viteve '90 dhe momenteve të shumta në Grammy dhe Oscars, Versace nuk ka arritur të përmirësojë gjendjen e saj financiare.
Ndoshta kjo është arsyeja pse në vitin 2019, ajo ia shiti markën Capri Holdings, për 2.1 miliardë dollarë. “Kam pasur shumë oferta ndër vite dhe gjithmonë kam thënë jo”, tha ajo në atë kohë. “Pse të ndiqja rregullat e Wall Street-it kur mund të bëja çfarë të doja nëse do ta mbanim kompaninë?” Dhe pse Capri Holdings? “Sepse John Idal [atëherë CEO i Capri Holdings] është një nga njerëzit më të zgjuar që kam takuar ndonjëherë. Ai nuk dëshiron të ndryshojë asgjë në lidhje me kompaninë, përveçse ta ndihmojë atë të rritet shumë më tepër. Gjithçka që ai ka thënë deri tani është se duhet të fokusohemi më shumë tek aksesorët. Por ne tashmë e dinim këtë”.
Në vitin 2023, prezantoi një shfaqje të suksesshme në Los Angeles me miq të famshëm në rreshtin e parë, por më e rëndësishmja, tregoi se sa e mirë mund të jetë shtëpia kur përpiqet. Rrobaqepësia ishte e shkëlqyer dhe fustanet e tapetit të kuq ishin të guximshëm si gjithmonë. Megjithatë, një linjë çantash që pritej të bëheshin bestseller, nuk u nxorën për shitje. Një linjë bukurie, e cila dukej si një mundësi e shkëlqyer për Donatellën, nuk ndodhi kurrë. Financiarisht, nuk ka pasur shumë përparim, ndryshe nga Prada, e cila së fundmi raportoi një rritje prej 104% në shitje.
Miqësia e tyre ishte gjithmonë interesante. Miuccia Prada, intelektualja që thuajse asnjëherë nuk është grimuar, e do elegancën. Nga ana tjetër, Donatella Versace, një grua bionde dhe shpërthyese. Çfarë duhet të diskutojnë?
Ndoshta po flasin për bashkime dhe blerje. Ka shumë thashetheme që pretendojnë se Capri Holdings dëshiron të shesë Versace dhe se Prada Group (që zotëron edhe Miu Miu dhe Church's) është interesuar ta blejë këtë shtëpi mode me kapital të pamjaftueshëm. Nëse kjo ndodh, mundësitë janë interesante. Estetika e tyre është krejtësisht e ndryshme. Megjithatë, Prada, e cila mbetet forca kryesore në modën italiane, po kërkon të zgjerohet pas rritjes së fortë të shitjeve organike në nëntë muajt e fundit të 2024, pavarësisht ngadalësimit të kërkesës, ndërsa Versace po operon me humbje. Një bashkim mund të jetë masa e parë në përgjigjen e Italisë ndaj dy gjigantëve francezë, LVMH dhe Kering, që dominojnë sektorin e luksit.
Sa për atë që do të bëjë Donatella Versace në të ardhmen, çfarëdo të jetë, ajo e ka energjinë për ta bërë. Një libër, një film për jetën e saj, më shumë punë për bamirësi që lidhen me gratë dhe SIDA-n. Publiku vazhdon ta shikojë me interes./K.C/dritare.net

















