Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hapet për qarkullim Tuneli i Murrizit!

Hapet për qarkullim Tuneli i Murrizit!

Rruga e Arbrit është tashmë një premtim i mbajtur, me hapjen eplotë të Tunelit të Murrizit për automjetet, që u realizua sot, pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisëproblematike të zonës nëpër të cilën kalon.

I shumëpritur për të gjithë banorët e Dibrës, dhe jo vetëm, Tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës sëArbrit, përbëhet nga dy tunele, nga tuneli kryesor me një gjatësi prej 3789 dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3781m, i përbërënga 11 hyrje dhe dalje.

Për të festuar së bashku me banorët e Dibrës ishte sot Kryeministri Edi Rama, si dhe Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, dhe drejtues e përfaqësues të pushtetit lokal, të cilët pasi përshkuan një pjesë të tunelit në këmbë, e vijuan rrugën me autobuz duke parë ndërkohë edhe punën e realizuar, si dhe masat e ndërmarra në mënyrë që tuneli tëfunksionojë në siguri të plotë.

“Sot hapet tuneli i Murrizit prej 3.8 km i gjatë. Është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij dhe ana ndërtimore dhe elektromekanike. Gjithçka është funksionale. Kemi bërë testet mbrëmë deri natën vonë. Nga ana tjetër, edhe trupa e Policisë Rrugore e ka marrë tashmë detyrën për monitorimin. Gjithashtu,këtu ndodhen të vendosura njësitë e zjarrfikësve dhe gjithçka është ashtu siç duhet. Në krahun tonë të djathtë kemi tunelin paralel që është tuneli i emergjencës. Sipas Kodit Rrrugor çdo tunel mbi 500 m ka nevojë që të ketë tunelin e emergjencës. Ka 11 hyrje dhe dalje tuneli i emergjencës. Gjithçka është sipas parametrave. Në tunelin e emergjencës vazhdojmë me disa punime të fundit, por që ndërkohë janë të dy operacional. Nuk parashikohet të ketë asnjë ndërprerje më të trafikut, duke qenë se siç jeni dhe ju në dijeni e kemi mbajtur deri në detaj të fundit të mbyllur sepse ky tunel ka pasur vështirësitë e tij, duke nisur nga gjeologjia dhe projektimi dhe gjithçka tjetër. Por mund të themi që është një nga pjesët e krenarisë së infrastrukturës shqiptare.Është një vepër arti, duke qenë se tuneli është i gjithi i blinduar në hekur, përndryshe nuk do të qëndronte. Ne në këto momente nuk po kalojmë në një tunel të gërmuar siç është rasti i Llogarasë, por po kalojmë në një tunel, i cili është i blinduar i gjithi në hekur si një unazë hekuri.” – shpjegoi zv/Kryeministrja Balluku, teksa shtoi se në ndërkohë edhe pjesët e tjera të Rrugës së Arbrit janë të përfunduara.

“Gjatë rrugës që keni ardhur sot keni parë dhe pjesën e skarpateve të shkalles së Tujanit plotësisht të përfunduar. Ne i kemi shtuar një pjesë tjetër vitin e kaluar rrugës së Arbrit, duke i vendosur dhe një segment të ri që është segmenti nga Maqellara në Peshkopi. Unë e kam inspektuar dje kështu që në muajin prill ne do kemi mundësi që ta dorëzojmë.”

Ndërsa Kryeministri Rama vlerësoi punën e jashtëzakonshme dhe inkurajoi që të gjenden zgjidhjet infrastrukturore edhe për çdo pjesë tjetër të rrugës, në mënyrë që të jetë sa më funksionale dhe lehtësisht e aksesueshme.

Duke folur për disa specifika të rrugëve hyrëse, Zëvendëskryeministrja Balluku tha se “Përsa i përket hyrjeve, ne po bëjmë një studim të ri. Duke qenë se kemi krijuar Unazën e Madhe të Tiranës tani, të gjitha hyrjet duhen riparë. Dhe hyrja e Kamzës nuk plotëson më kushtet për të qenë hyrje e kryeqytetit sepse lidhet në autostradën Tiranë - Durrës dhe nuk lidhet më në Unazë siç duhet të lidhet. Kështu që jemi duke bërë projektin dhe nga Kamza, pra në hyrje të Tiranës për të dalë direkt në lotin e parë që e quajmë ne të Unazës së Re të Madhe. Dhe kështu mund të shikojmë dhe dizajnojmë dhe pjesën e Tufinës për ta lidhur direkt në Unazë të Madhe. Ti shkon direkt te vetërrotullimi dhe pastaj vjen nga Rruga e Arbrit futesh në Unazë të madhe për tu shpërndarë neper Tiranë apo për të vazhduar në autostradat e tjera se mund të vijnë nga Rruga e Arbrit dhe të duan të ikin në Elbasan.” – detajoi ajo.

Rruga e Arbrit, një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përfundimi i së cilës sjell një lehtësim të madh në lidhjen mes Tiranës dhe Dibrës. Ky projekt madhor ka përfshirë ndërtimin e 54 kilometra rrugë me 10 kilometra tunele dhe 1.4 kilometra ura./E.P-dritare.net