
Nga fantazitë e Brexit tek faktet. Edi Rama një leksion Farage, për shqiptarët!
Dritare.net
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të politikanit britanik Nigel Farage, i cili ka bërë pretendime të pasakta dhe shpifëse ndaj komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një postim të gjatë dhe të argumentuar në platformën X (ish-Twitter), Rama i kujtoi Farage-it se statistikat që ai përdor për të përhapur frikë dhe ndasi, nuk përputhen me realitetin.
“Fillove me ‘një kriminel në çdo 50 shqiptarë’, dhe tani je tek ‘ndoshta një në tre, ndoshta një në katër... nuk e di!’ — Seriozisht? Nuk e di? Dhe ti thua që i ke kontrolluar shifrat dy herë?”, shkruan Kryeministri Rama me ironi.
Ai përmendi të dhëna të vetë ambasadës shqiptare në Britani, sipas të cilave numri real i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar tejkalon 300 mijë — jo 53 mijë, siç kishte pretenduar artikulli i cituar nga Farage, madje as 140 mijë, që vetë artikulli e pranon si një vlerësim më të mundshëm.
“Këta janë njerëz që u mësojnë fëmijëve tuaj, ndërtojnë shtëpitë tuaja, kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj. Nuk janë mish për dhëmbët e propagandës post-Brexit”, deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi se nuk ka nevojë të përdoren komunitete të tëra si “kokë turku” për krizat e brendshme politike, duke ftuar Farage-in të përballet me faktet dhe jo me fantazitë e tij të epokës së pas-së-vërtetës.
Në fund të mesazhit të tij, Rama e ftoi Nigel Farage të vizitojë Shqipërinë si “i ftuar nderi”, me shpresën se ai do të largohet nga retorika ndarëse dhe do të zgjedhë të luftojë për ide, jo kundër njerëzve.
“Britania është tashmë e madhe — edhe falë shumëllojshmërisë së saj. E pres me kënaqësi si mysafirin tim. Por para se të shijoni mikpritjen tonë të vërtetë, a mund të biem dakord që të flasim me fakte, e jo me mite?”, përfundon Rama.
Reagimi i plotë:
Nigel, Nigel, Nigel…
Nga “një kriminel për çdo pesëdhjetë shqiptarë”, deklarata jote ka degjeneruar në:
“Ndoshta është një në tre apo ndoshta një në katër, nuk e di”
Vërtet? Nuk e di?
Dhe kjo pasi the se i kishe “verifikuar dy herë” shifrat?
Unë tashmë të drejtova te burimi yt — artikulli i The Telegraph, edhe pse i paqëndrueshëm. Por ti duket se këmbëngul në gabim.
Më lejo, pra, të të ndihmoj me pak më shumë qartësi.
Sipas të dhënave të Ambasadës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me tinguj propagande të Brexit-it, numri i shqiptarëve në Britani nuk është 53,000 siç thotë fillimisht The Telegraph.
Në fakt, po në atë artikull, thuhet qartë:
“Kjo analizë ka gjasa të nënvlerësojë madhësinë e popullsisë shqiptare.”
Më pas spekulohet se numri mund të jetë rreth 140,000.
Në realitet, z.Nigel Farage, e vërteta është kjo: shifra tejkalon 300,000 vetë.
Këta janë arsimtarë, punëtorë ndërtimi, mjekë, infermierë, kujdestarë për të moshuarit dhe të sëmurët, njerëz që shërbejnë me dinjitet në vendin tuaj sikur të ishte i tyre.
Nuk janë mish për propagandën e një epoke të lodhur politike. Janë pjesë e gjallë e shoqërisë britanike.
Edhe pa kontrolluar për moshë, gjini apo status social, përllogaritjet e tua bien. Nuk është një në pesëdhjetë. Dhe absolutisht jo një në tre apo katër.
Këto nuk janë statistika, janë pjesë e frikës e maskuar si “fakt.”
Dua të të pyes drejtpërdrejt tani;
*Pse është kaq e vështirë të pranosh se ke gabuar, pa fyer dhe baltosur një komunitet të tërë njerëzish që i shërbejnë vëndit tuaj si të ishte i tyre?
Britania është një vend i madh.
Jo më pak falë *diversitetit të saj, qëndrueshmërisë* dhe forcës multikulturore.
Një shoqëri që vuan nga trauma politike *nuk ka nevojë për armiq imagjinarë, për viktima të rreme, apo mitologji në vend të realitetit*.
Shpresoj me gjithë zemër që vizita jote e ardhshme në Shqipëri të të frymëzojë të luftosh *për ide, jo kundër njerëzve — në frymën e traditës së madhe liberale britanike.
Me kënaqësi do të të mirëpres si i ftuar nderi në vendin tonë të bukur.
Por përpara se të shijosh diellin e vërtetë dhe mikpritjen shqiptare, a mund të biem dakord që të flasim për fakte, e jo për fantazitë e tua?
Le ta caktojmë datën./L.F-dritare.net

















