
Nga e hëna, ndalohet përkohësisht përdorimi i monopatinave elektrike në Shqipëri
Dritare.net
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, kanë prezantuar masat e reja për sigurinë publike në lidhje me përdorimin e monopatinave elektrike.
Në një deklaratë për mediat, ministrja Koçiu theksoi se shqetësimet e qytetarëve mbi rrezikshmërinë e këtyre mjeteve janë në rritje, sidomos për të miturit dhe të moshuarit. Ajo shtoi se janë marrë një sërë ankesash dhe raportimesh që tregojnë për aksidente dhe incidente të ndryshme.
Drejtori Proda nënvizoi se analizat e Policisë kanë evidentuar 991 raste aksidentesh gjatë vitit 2024, përfshirë edhe fatalitete dhe dëmtime të rënda. Ai sqaroi se Policia ka vendosur një procedurë standarde për ndëshkimin e drejtuesve dhe bllokimin administrativ të monopatinave që përdoren në rrugë urbane dhe trotuare.
Ministrja Koçiu njoftoi se përkohësisht ndalohet qarkullimi i monopatinave elektrike dhe paralajmëroi ata që planifikojnë të ofrojnë këto mjete për qira ditore që të mos investojnë në këtë aktivitet. Pas përfundimit të procesit të rregullimit, përdorimi i monopatinave do të lejohet vetëm për përdorim privat, me rregulla të qarta për korsitë, moshën e përdoruesve, pajisjet mbrojtëse dhe shpejtësinë e lejuar.
Operacioni për ndalimin e qarkullimit të monopatinave do të nisë nga dita e hënë, ndërsa Ministria dhe Policia do të studiojnë praktikat më të mira evropiane për të balancuar sigurinë publike me interesin e përdoruesve.
“Shqipëria nuk është e vetmja që përballet me këtë situatë. Vende si Franca, Italia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë masa drastike për përdorimin e monopatinave,” tha ministrja Koçiu.
Kjo nismë synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të parandalojë aksidentet me pasoja të rënda./L.F-dritare.net

















