
Moti i keq/ Një tjetër aks rrugor bllokohet për shkak të dëborës!
Dritare.net
Mot i Keq ka shkaktuar problematika për qarkullimin edhe në bashkinë e Korçës. Aksi rrugor Panarit – Shtyllë për shkak të reshjeve të dendura të borës është bllokuar, ku lartësia e arritur është deri në 2 metër në zona të caktuara.
Sipas burimeve pranë bashkisë Korçë, bëhet me dije se borëpastrueset janë në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugës. Hapja pritet të kryhet brenda ditës së sotme.
Kjo zonë është gjithmonë shumë problematike pas reshjeve të borës, pasi në vitet e shkuara ka pasur dhe izolim të banorëve për shkak te motit.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes pak minuta më parë ka bërë thirrje që qytetarët të evitojnë lëvizjet për qëllime turistike në vende malore. Ndërkaq sinoptikanët kanë parashikuar që ditët në vazhdim të kenë shtim të reshjeve të dëborës dhe ulje të temperaturave./A.ZH-dritare.net

















