Miratohet bonusi i Vitit të Ri/ Përfitues, 10 mijë punonjës të transportit publik!
Dritare.net

Këshilli i Ministrave, ka miratuar bonusin prej 10,000 lekësh për 10 mijë punonjës dhe ish-punonjës të transportit publik në vitin 2020.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe i cili ka theksuar se është miratuar shtesa për 420 paga lufte për punonjësit dhe ish-punonjësit e këtij sektori.
“Një tjetër akt solidariteti në prag të festave të fundvititnga DPSHTRR – MIE për sektorin e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, më i godituri nga Pandemia!
DPSHTRR vuri në dispozicion të Qeverisë Shqiptare fondin vjetor të bonusit nga realizimi i bilancit të 2019-ës si ent, duke e hequr nga vetja për t'ua shpërndarë 10,000 individëve për Vitin e Ri! Akti i tretë sivjet nga DPSHTRR!
U miratua sot VKM për Ndihmën Solidare në vlerën 10,000 Lekë për secilin nga 10,000 të punësuarit dhe ish-të punësuarit në vitin 2020 në subjektet e transportit publik, qytetas, ndërqytetës dhe shërbim taksi, që do kalojë direkt në numrat e llogarive bankare sipas listës dhe brenda Dhjetorit 2020!
U miratua gjithashtu edhe shtesa për 420 Paga Lufte (26,000 Lekë) për punonjësit dhe ish-punonjësit në subjektet e transportit publik, qytetas dhe ndërqytetës të cilët nuk mundën ta përfitonin te Paketa e Qershorit (financuar po nga DPSHTRR)! PS: në ditët në vijim detajet teknike!”, shkruan Gonxhe. Ky sektor ishte ndër më të prekurit nga pandemia, duke qëndruar mbyllur nga muaji mars deri në korrik./M.M-dritare.net