Ministri Hoxha kritika shërbimit të jashtëm: S’na pret bota sa të pimë kafen!
Dritare.net

Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha ka zhvilluar sot një konferencë me gazetarët me fokus në përparimin e Shqipërisë me negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet diplomatike me vendet fqinje e më tej si dhe për samitin 3 ditor të Diasporës që do të zhvillohet në Shqipëri.
Hoxha i cilësoi si tymnajë dhe pjesë të diskursit politik të vendit deklaratat se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është bllokuar. Hoxha tha se Shqipëria ka bërë një avancim historik dhe se raporti i IBAR i është dorëzuar Këshillit të Evropës nga Komisioni dhe se vendet anëtare janë në fazën e të shtruarit pyetje për përmbajtjen e këtij raporti. Ministri u shpreh se nuk është në asnjë vend e shkruar që raporti duhej të miratohej për 3 javë, por se ky proces mund të zgjasë deri në 2 muaj.
“KE, pasi ka marrë gjithçka që i kemi çuar ne, 92 hapa konkretë, mbi këtë raport është hartuar IBAR, të cilin Komisioni ia ka paraqitur Këshillit. Vende të ndryshme kanë pyetje të ndryshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vendet anëtare të marrin një raport dhe të mos kenë pyetje. Ky është ushtrim klasik. Pyetjet mund të merrnin 4-8 javë, por nuk e kemi ne në dorë. Në bazë të pyetjeve, është Komisioni që jep përgjigje. Ne nuk jemi atje. Nëse do ketë fusha ku nuk kemi qenë bindës, do futen në procesin vijues që do jenë piketat përmbyllëse. Malit të Zi i janë dashur 8 vite për të hapur gjithë kapitujt, 13 muaj iu deshën Shqipërisë,” tha ministri.
Ferit Hoxha kritikoi shërbimin e jashtëm në vend duke kërkuar rritje të profesionalitetit dhe integritet.
"Nuk na pret bota që ta pijmë kafen e mëngjesit dhe nuk ndalet bota në orën 16:00. Nuk mund të kënaqemi me gjëra sipërfaqësore. Situata sot kërkon vendimmarrje ndonjëherë të shpejtë dhe të mençur. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë profesional. Sepse nëse sot shërbimi i jashtëm mbron veç interesin e Shqipërisë, nesër do të mbulojë interesa më të gjera. Trupa diplomatikë duhet të jetë me integritet, si një administratë europiane dhe efikase”, tha Hoxha.
Hoxha sqaroi dhe marrëdhëniet me vendet fqinj duke thënë se me Greqinë sot Shqipëria gëzon raportet më të mira se ndonjëherë më parë.
“Sot ndodhemi në marrëdhëniet më të mira me Greqinë. Nëse hapim kapitujt, kemi dakordësinë e 27 vendeve, edhe të Greqisë. Kjo reflekton cilësinë e marrëdhënieve me Greqinë. Për këto çështje, ne do të vazhdojmë. Çështjet më të vështira, si marrëveshja e detit, së pari me Greqinë, ne kemi rënë dakord. Do shkojmë në gjykata ndërkombëtare. Për këtë kemi rënë dakord në parim, nuk mund të them një datë. Janë një sërë çështjesh që marrin kohën e tyre”, theksoi ai.
Ministri komentoi dhe raportet me shtetin serb, duke thënë se Shqipëria nuk ka aleancë, por interesa. Këtu Ferit Hoxha theksoi se mbështetja e panegociueshme e Shqipërisë për Kosovën, nuk ndikon në marrëdhëniet diplomatike me vendet e tjera, përkundrazi, mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri ska aleancë as me Serbinë as me askënd, kemi interesa që mbrohen duke dialoguar dhe me ato që kemi qëndrime të kundërta. Në diplomaci negociojmë. Fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal që gjejmë mënyra për të avancuar, nuk shoh qe ka diçka për tu shqetësuar. Natyrisht që do të takohemi me serbët. ndoshta kjo mund të çojë edhe në sado pak ujë në normalizimin e marrëdhënieve ne Kosovën. Duhet të zgjidhet dhe kjo çështje e fundit që është Kosova e pavarur dhe sovrane”, tha Hoxha.
Hoxha tha se Samiti i Diasporës do të shërbejë për të forcuar më tej marrëdhëniet me fqinjët ndërsa tha se bisedimet do të përqendrohen në fushën e ekonomisë, kulturën e të tjera që janë shqetësim sot për diasporën.