Mesazhi i Ramës për shqiptarët nga Berati: Nuk ju kam tradhtuar dhe s’ju tradhtoj kurrë!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Berat, është ndalur te akuzat dhe kritikat që, sipas tij, janë drejtuar ndaj tij dhe përfaqësuesve të kësaj force politike ndër vite.
Rama tha se sa më i lartë të jetë niveli i përfaqësimit, aq më të forta bëhen sulmet dhe “balta”, të cilat sipas tij kanë prekur jo vetëm figurat politike, por edhe familjet e tyre. Ai shtoi se është mësuar me kritikat personale, por nuk pranon kur ato shtrihen ndaj familjes dhe të afërmve. Në përfundim të fjalës së tij, Rama deklaroi se nuk i ka tradhtuar dhe nuk do t’i tradhtojë interesat e qytetarëve.
“Asnjë forcë politike në gjithë Evropën pas komunizmit nuk ka përjetuar te personat, të lëkurës së personave që e kanë përfaqësuar në nivelin vendor apo qendror, më shumë shijen e baltës sesa kjo forca jonë politike, sesa njerëzit përfaqësues të kësaj force politike.
Sa më i lartë niveli i përfaqësimit, aq më e hidhur shija e baltës së akuzave, baltës së shpifjeve, me libër shtëpie. Nuk kanë baltosur vetëm ne, por kanë baltosur njerëzit tanë, kanë baltosur familjet tona. Sa më lart të jesh në këtë piramidë, aq më shumë baltë do marrësh. Por unë e kam duruar baltën, jam mësuar me shijen e saj mbi veten time, s’më bën përshtypje. Nuk jam mësuar me shijen e saj kur balta bie mbi familjen time, mbi gruan, mbi fëmijët, mbi kockat e prindërve të mi.
Por ama, gjithmonë e konsideroj si pjesë të pashmangshme, të pandryshueshme, sepse nuk kemi gjë në dorë ne, sepse balta vjen nga ata që deri dje i kishim përballë, sot s’i kemi as përballë, por i kemi shumë mbrapa.
Në këto dy-tre ditë kam kuptuar që baltën, akuzat dhe shpifjet e atyre që më kanë votuar, është shumë e vështirë që t’i përballësh. Është shumë e vështirë t’i përballosh, sepse përtej gjithë fjalëve, pretendimeve dhe hamendësimeve lidhur me mua, unë një gjë jam i sigurt, si Mangalemi që është mbrapa meje, që qysh në ditën që më keni çuar në atë zyrë, unë s’ju kam tradhtuar dhe nuk ju tradhtoj kurrë.”, theksoi Rama./K.C/dritare.net