Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Meryl Streep dhe kushti që e bëri të mundur vazhdimin e filmit ikonik

Meryl Streep dhe kushti që e bëri të mundur vazhdimin e filmit

Kur u njoftua një vazhdim i filmit Djalli vishet me Prada, 20 vjet pas publikimit të origjinalit, shumë njerëz pyetën: “Pse?”.

Për Meryl Streep, e cila luan rolin e Miranda Priestly, kryeredaktore e frikshme e revistës Runway (e frymëzuar nga Anna Wintour), kishte një kusht kyç për t’u rikthyer.

“Kishte vetëm një mënyrë që do të pranonim të bënim një vazhdim,” tha ajo. “Nëse do të pasqyronte kohën në të cilën jetojmë.”

Filmi i ri reflekton zhvillime reale në botën e gazetarisë – ulje të stafit, rënie të botimeve në print dhe dominimin e mediave digjitale.

“Çdo gjë duhet të ketë një arsye për të ekzistuar – edhe filmat më argëtues,” shton Streep.

Bashkëaktori Stanley Tucci, i cili rikthehet si Nigel Kipling, thotë se filmi trajton “humbjen e kontrollit që kanë gazetarët për shkak të mediave sociale dhe inteligjencës artificiale”.

“Shijoni nostalgjinë”

Meryl Streep dhe kushti që e bëri të mundur vazhdimin e filmit

Anne Hathaway rikthehet në rolin e Andy Sachs, tani redaktore në Runway. Ajo thotë:

“Filmi tregon se duhet të marrësh pjesë në botën ku dëshiron të jetosh.”

Ajo shton se e ardhmja e gazetarisë varet nga publiku dhe nga sa e vlerësojnë ata.

Streep shpreson që njerëzit të marrin edhe mesazhe pozitive nga filmi, megjithëse thekson se ai mbetet një histori argëtuese me modë dhe stil.

Ndërkohë, Emily Blunt, e cila rikthehet si Emily Charlton, thotë se filmi është “një shpërthim gëzimi” që njerëzit mund ta shijojnë me miqtë e tyre.

Meryl Streep dhe kushti që e bëri të mundur vazhdimin e filmit

Një botë e re

Filmi i ri, i shkruar sërish nga Aline Brosh McKenna dhe i drejtuar nga David Frankel, përfshin veshje luksoze, paraqitje të personazheve të famshëm si Marc Jacobs dhe Naomi Campbell, si dhe skena në qytete si Nju Jorku dhe Milano.

Megjithëse ruan humorin dhe batutat ironike, personazhet përballen me një realitet të ri.

Blunt thotë se filmi trajton tema si “realizimi, falja, pajtimi dhe rikthimi”.

Reagimet dhe mesazhi

Kritikat deri tani kanë qenë kryesisht pozitive. Disa e vlerësojnë filmin për mënyrën inteligjente dhe respektuese ndaj origjinalit, ndërsa të tjerë mendojnë se historia mund të kishte më shumë tension.

Një nga elementët kryesorë mbetet fokusi tek gratë ambicioze në karrierë.

Streep thekson:

“Ambicia tek gratë shpesh shihet si diçka negative. Do të donim që kjo të mos ishte më e vërtetë, por ende është.”

Hathaway shton se historitë për gra që e duan punën e tyre janë të rralla në Hollywood, dhe kjo është arsyeja pse filmi vazhdon të rezonojë me publikun.

Balanca në jetë

Filmi gjithashtu trajton sakrificat personale që vijnë me karrierat e suksesshme.

Hathaway thotë se mënyra si njerëzit e përkufizojnë një jetë të plotë është shumë personale.

Streep shton:

“Asnjë burrë në shtratin e vdekjes nuk thotë ‘do doja të kisha punuar më shumë’. Të gjithë duam ekuilibër në jetën tonë.”

Në fund, aktorët shpresojnë që publiku jo vetëm ta shijojë filmin si dikur, por edhe të marrë frymëzim prej tij.

Djalli vishet me Prada është tashmë në kinema./L.F-dritare.net