Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Megaoperacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, arrestohet oficeri i Antiterrorit në Shqipëri

Megaoperacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës,

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar paralelisht në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë, duke goditur një rrjet të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe heroinës.

Me vendim të Gjykatës së Breshias janë lëshuar 24 masa sigurie, nga të cilat 10 janë ekzekutuar në Brescia. Në Shqipëri, me urdhër të SPAK, në Tiranë është arrestuar oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj, i cili dyshohet se kishte lidhje me klanet shqiptare të trafikut të drogës dhe se ka dekonspiruar hetimet gjatë kohës që shërbente në Forcat Operacionale.

Trafik prej 1.3 tonë kokainë drejt Italisë

Sipas autoriteteve, klanet shqiptare të goditura në këtë operacion dyshohet se kanë trafikuar drejt Italisë rreth 1.3 tonë kokainë në periudhën 2020–2025. Hetimi është koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Breshias dhe është rezultat i një pune pesëvjeçare në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe zvicerane.

Hetimet janë bazuar në përgjime telefonike dhe në biseda mes anëtarëve të grupit, që kanë zbardhur mënyrën e funksionimit të rrjetit. Në total, 49 persona janë vënë nën hetim, prej të cilëve 46 janë shqiptarë.

Si funksiononte organizata kriminale

Sipas hetuesve, grupi kishte bazë operative në Shqipëri dhe degëzime të forta në Itali. Droga vinte nga Amerika e Jugut përmes rrugëve tregtare që kalonin nga portet e mëdha të Evropës Veriore, ndërsa më pas transportohej drejt Italisë:

Kokaina transportohej me kamionë, e fshehur në mjete të tonazhit të rëndë

Heroina sillhej nga Shqipëria në Itali me autobusë, ku shoferët në shumë raste nuk ishin në dijeni
Grupi kishte krijuar 6 baza logjistike në Itali, kryesisht në provincat Rovato dhe Palazzolo në Breshia, të cilat shërbenin si qendra magazinimi dhe shpërndarjeje.

Paratë e përfituara nga droga ktheheshin në Shqipëri përmes linjave të autobusëve Itali–Shqipëri, të administruara nga vetë anëtarët e rrjetit.

Sekuestrime milionere
Gjatë hetimeve janë sekuestruar:

550 mijë euro cash
10 automjete
1 armë zjarri (pistoletë)
130 kilogramë drogë (kokainë dhe heroinë)
Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara në treg llogaritet rreth 12 milionë euro. Në kuadër të operacionit janë kryer mbi 35 kontrolle në të gjithë territorin italian.

Akuzat ndaj oficerit të Antiterrorit

Oficeri i arrestuar Igli Haxhiaj dyshohet për disa vepra penale, mes tyre:

Nxjerrje të sekretit hetimor
Korrupsion
Shpërdorim detyre
Sipas burimeve, veprat dyshohet se janë kryer gjatë kohës kur ai shërbente pranë Forcave Operacionale, duke ndihmuar grupin kriminal me informacione të brendshme./L.F-dritare.net