
Mbyllja e Zërit të Amerikës, Berisha: Mund të mbyllet edhe RTSH!
Dritare.net
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet pas protestës për mbylljen e TikTok edhe për lajmin që vjen nga Amerika për mbylljen e Zërit të Amerikës, një dritare që atij i shërbeu për të ngjitur shkallët e karrierës politike pas viteve 1990.
Berisha doli në mbrojtje të politikës së Presidentit Donald Trump për këtë vendim, duke e cilësuar si gjeopolitikë ndërkombëtare, teksa theksoi se nesër mund të mbyllej edhe RTSH por kjo nuk do ishte censurë.
Ai e cilësoi anticensurë ndërkohë vendimin e Trump, por në krahun tjetër për paradoks sapo kishte përfunduar një protestë e PD për mbylljen e TikTok nga qeveria, që ai e deklaron si censure.
“Gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, pavarësisht se çfarë thotë propaganda kundër tij, asnjë gazetar nuk është ndëshkuar apo dënuar, është tregues, e kam unë atë. Fjala më e bukur që ai ka mbajtur ka qenë fjala për censurën, garancitë që ai dha se s’do ketë censurë. Mbyllja e Zërit të Amerikës është çështje e një gjeopolitike globale. Ata e konsiderojnë se shpenzimet që bëhen me Radion të kufizohen ose të shmangin një propagandë që e konsiderojnë të tepërt, administrata aktuale e SHBA.
Mund të ndodhi nesër të mbyllet edhe RTSH-ja, por kjo nuk do të thotë se është censurë pasi mesazhi qytetarëve do i shkojë. Ajo është ent publik, mund të vazhdojë. Nuk pëson asnjë censurë, më shumë mu duk se ishte një akt anticensure (vendimi i Trump)”, tha Berisha para gazetarëve. “Mbase i kthehet mendja popullit shqiptar dhe me gjithë socialistët të votojnë për këtë që quhet ndryshim se vdiqëm”, përfundoi ai./E.P-dritare.net

















