Na ndiqni edhe në

Opinione

Lamtumirë mjeshtër i këpucëve!

Lamtumirë mjeshtër i këpucëve!

Nga Sonila Meço

Ne një nga rrugicat ndanë Kishës Katolike, tek rruga e Kavajës, diku në mes të saj përhapet një aromë lëkure prej një dere të vogël metalike. Një zhurmë e lehtë, ritmike, jo bezdisëse shoqëron hapat e njerëzve, që kalojnë atypari.
“Unë shëroj këpucë”, më thosh xhaxhi Loro. Një burrë kokëbardhë, me një fytyrë të ëmbël, zë të butë e duar të forta, fqinji i prindërve të mi dhe mjeshtri më i mirë këpucar në Tiranë.

Tryeza e tij e punës qe një muze artizanati, këpucë elegante, stileto, mokasinë, çizme, sandale nga Louboutin, Jimmi Choo, Manolo Blahnik tek markat më të lira, këpucë të stërpërdorura, arnuar më shumë se një herë. Aty faleshin parellinjtë e VIP-at e ngrefosur për të shpëtuar një palë këpucë shumë të shtrenjta prej një dëmtimi sado të vogël e deri tek njerëzit e thjeshtë, të blerjeve të lira, të konsumuara prej vitesh, por të gjithë trajtoheshin e dilnin njëlloj të lumtur nga ajo derë e vockël e një dhomëze të përshtatur pranë shtëpisë së mjeshtrit Loro.

Kur humba babin, një vit më parë, xhaxhi Loro më avitej tek xhami i makinës, teksa e parkoja në një hapësirë të ngushtë para dyqanit të tij modest, që ma lejonte me shumë dashuri dhe më thosh: “Më merr malli për atë burrë. Ia lexoja fisnikërinë edhe tek shollat e këpucëve”. Unë qeshja mes lotësh dhe mbetesha pa fjalë nga rrëfenjat e tij mbi psikologjisjen e diagnostikimin e njerëzve prej atij zanati.

Kish njohur nga gratë më të bukura të qytetit, tek akademikët e elita e Tiranës. Nga punëtorët e ndershëm tek të djallëzuarit e qytetit, nga pasunarët tek të pamundurit. “Sholla më flet”, thosh. Dhe çdo histori, maraz, ngjarje jete kyçej me çekiçin e ngjitësin e fundit mbi këpucë me besimin absolut se veç ato do t’i mbanin sekretet e mbajtësit të tyre. Ndërsa Mjeshtri Loro, me dekadat do të rezistonte në rrugicën e ngulfatur dhe shfytyruar ndërtimesh e emigrimesh si emblema e një Tirane të paharrueshme, si “kisha” ku “falen” mëkatet e hapave njerëzorë.

Nga sot, Mjeshtri Loro do të tregojë historitë tokësore në parajsën e merituar, ndërsa dera e vogël metalike do të mbyllet përgjithmonë për të mbetur vendi ku çdo hap njerëzish, që provuan të paktën një herë mjeshtërinë e tij do të ndalet duke psherëtirë e ngushëlluar me kokën ulur këpucët “Kush do t’ju shërojë ju tani mrekullisht?!”.

Lamtumirë Mjeshtër!/dritare/net