
Matura/ Reagojnë institucionet: Teksti kishe gabime drejtshkrimore, por i bëmë me qëllim!
Dritare.net
Nisur nga shqetësimi i maturantëve në lidhje me testin e gjuhës shqipe, ditën e djeshme u zhvillua një takim me përfaqësues të MASR, QSHA, DPAP, KOMSH, si edhe 20 mësues të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nga shkolla të ndryshme të të gjithë vendit. Në një njoftim nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, theksohet nga diskutimi u vërejt që në test nuk kishte gabime shkencore, dhe se testi nuk kishte dalë jashtë programit orientues.
“Lidhur me pretendimin se në test ka gabime drejtshkrimore, QSHA sqaron se ka vërtetë një tekst me gabime, por ky tekst është ndërtuar në mënyrë të qëllimshme i tillë, për të vlerësuar kompetencat gjuhësore të nxënësve”, thuhet në njoftim.
“Në lidhje me përfshirjen në test të poezisë së Lasgush Poradecit, u qartësua se ky autor është i lexuar dhe i studiuar gjatë procesit mësimor në shkollë. Përfshirja e tij në provimin e maturës u është bërë e qartë nxënësve, edhe përmes paraqitjes së tij në testin model, i cili është shpërndarë paraprakisht tek ata. Kjo u ka dhënë mundësi maturantëve dhe mësuesve që të bëjnë përsëritjet e nevojshme mbi veprat e këtij autori, për një përgatitje sa më të mirë të nxënësve në provimet e maturës.
Përkundër gjithë këtij diskutimi të zhvilluar, QSHA vendosi se do të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve”, përfundon QSHA./L.F-dritare.net

















