Na ndiqni edhe në

Bota

Masakër në Australi: 11 të vrarë në një sulm me armë ndaj komunitetit hebre

Masakër në Australi: 11 të vrarë në një sulm me

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 29 të tjerë janë dërguar në spital, përfshirë edhe një fëmijë, pas një sulmi të armatosur në Bondi Beach, Australi, bëjnë të ditur autoritetet e Policisë së New South Wales.

Sipas policisë, sulmi kishte në shënjestër komunitetin hebre dhe ndodhi gjatë një aktiviteti publik të organizuar për të shënuar fillimin e festës së Hanukkah. Në momentin e sulmit, në zonë ndodheshin mbi 1,000 persona.

Mes viktimave është edhe rabini Eli Schlanger, me origjinë britanike, vdekja e të cilit është konfirmuar nga familja e tij. Lajmi ka shkaktuar tronditje të madhe brenda komunitetit hebre dhe më gjerë.

Autoritetet njoftojnë se një nga autorët e dyshuar është vrarë gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë, ndërsa një i dyshuar i dytë ndodhet në gjendje kritike në spital. Hetimet janë ende në zhvillim për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e sulmit.

Sipas BBC Verify, një video e publikuar së fundmi ofron pamjen më të qartë deri tani të mënyrës se si u krye sulmi, duke ndihmuar hetuesit në rindërtimin e ngjarjes.

Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, deklaroi se të shtënat masive janë shumë të rralla në Australi, duke e bërë këtë ngjarje “edhe më tronditëse për shoqërinë australiane”.

Ndërkohë, Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si “një akt të antisemitizmit të egër dhe terrorizëm, që ka goditur në zemër të kombit tonë”.

Autoritetet australiane kanë shtuar masat e sigurisë në mbarë vendin, ndërsa komunitetet fetare dhe politike kanë shprehur solidaritet me familjet e viktimave./L.F-dritare.net