Berisha sulmon Dumanin para SPAK: Mercenar i Ramës, drejtësia do të flasë një ditë
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka refuzuar të rendisë ndonjë arritje të Altin Dumanit gjatë tre viteve në krye të SPAK, ndërsa ka përsëritur akuzat dhe sulmet ndaj tij gjatë paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme.
Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” për çështjen e njohur si afera “Partizani”. Para mediave, ai bëri të ditur se i kishte lënë një mesazh me shkrim kreut në largim të SPAK-ut.
“Shënimi që i lashë armikut të egër të pluralizmit politik, mercenarit të Ramës dhe narkoqeverisë së tij: me kujtesën se për veprat e tij të rënda penale, drejtësia një ditë do të thotë fjalën e saj”, u shpreh Berisha.
Berisha ngriti gjithashtu akuza për pasurinë e Altin Dumanit, duke vënë në pikëpyetje burimin e disa apartamenteve, për të cilat tha se nuk mund të justifikohen me rrogën e shtetit.
“Jam ish-president dhe ish-kryeministër dhe jap garanci të plotë para çdo shqiptari se asnjë rrogëtar i këtij shteti, përfshi presidentin dhe kryeministrin, nuk mund të bëhet me katër apartamente me rrogën e shtetit”, deklaroi Berisha.
Altin Dumani pritet t’ia dorëzojë detyrën e drejtuesit të SPAK Klodian Brahos, ndërsa hetimet ndaj Berishës për aferën “Partizani” vijojnë./L.F-dritare.net