Marta Kos reagon sërish: Lufta kundër korrupsionit kërkon edhe ndryshim të mentalitetit
Dritare.net

Komisionerja europiane për zgjerimin, Marta Kos, ka sqaruar edhe një herë qëndrimin e saj lidhur me procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate në Bashkimi Europian, duke theksuar rëndësinë e reformave institucionale dhe ndryshimeve shoqërore.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se procesi i zgjerimit kërkon ndërtimin e institucioneve demokratike të forta, si dhe një angazhim më të gjerë të shoqërive për të luftuar korrupsionin.
Sipas saj, lufta kundër korrupsionit nuk lidhet vetëm me masat institucionale, por edhe me ndryshimin e mentalitetit në vendet kandidate, duke e konsideruar këtë një element të rëndësishëm të procesit të integrimit.
Kos nënvizon gjithashtu se procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë dhe se të gjitha vendet kandidate vlerësohen sipas të njëjtave standarde, pavarësisht rrethanave të tyre specifike.
Ajo shton se anëtarësimi në BE nuk është thjesht përmbushje formale e kritereve, por kërkon ndryshime reale dhe të qëndrueshme në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë.
“Le të jemi shumë të qartë për atë që po ndodh. Këtë javë fola në Samitin ‘Competitive Europe’ të Politico. Shpjegova që ne kemi nevojë për debat të vazhdueshëm mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ndërkohë që kjo ndodh, ne duhet të jemi 100% të angazhuar ndaj mbështetjes së vendeve kandidate me reformat e nevojshme.
Në të gjitha vendet kandidate, ndërtimi i institucioneve të forta demokratike është njëra anë dhe ana tjetër është ndryshimi i mentalitetit të shoqërive që edhe ato ta luftojnë korrupsionin. Procesi mbetet i bazuar në meritë. Ndërsa çdo kandidat ka rrethana specifike, baza për anëtarësimin në BE mbetet e njëjtë për të gjithë. Të hysh në BE nuk është thjesht për të markuar kutizat, por edhe për të bërë ndryshimin realitet" tha komisionerja Kos./L.F-dritare.net
