SPAK njoftim zyrtar pas aksionit te AKSHI. Ja akuzat!
Dritare.net

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025 ndaj tetë shtetasve, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka vepruar në fushën e tenderave publikë. Hetimet lidhen me vepra të rënda penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, të dyshuarit kanë manipuluar procedurat e tenderimit duke vendosur kritere të paligjshme për të favorizuar kompani të caktuara, si dhe kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të kompanive të tjera për t’i detyruar të heqin dorë nga ankimet. Kjo ka krijuar avantazh të padrejtë për kompani të paracaktuara në shpalljen e fituesve.
Në kuadër të hetimeve, rezulton se disa administratorë kompanish kanë marrë pjesë formalisht në tendera, kanë lëshuar fatura fiktive dhe kanë kryer transaksione financiare të dyshimta për llogari të kompanive që nuk ishin realisht pjesë e procesit të tenderimit.
Më 15 dhjetor 2025, SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, ndërsa më 16 dhjetor 2025, BKH nisi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Masat e dhëna përfshijnë arrest në burg (ende të paekzekutuara për dy persona), arrest në shtëpi, pezullim nga detyra publike, si dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për disa prej të dyshuarve.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë, me qëllim zbulimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Masat e sigurisë të lëshuara nga SPAK
Arrest në burg
Ergys Agasi
Ermal Beqiri
Arrest në shtëpi
Mirilda Karçanaj
Hava Delibashi
Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit
Erion Ismaili
Ndalim për të dalë jashtë vendit
Andis Papa
Gëzim Hoxha
Rogers Rryta