Na ndiqni edhe në

Sport

Kupa e Botës për të pasurit? Çmimet e biletave ndezin zemërimin e tifozëve

Kupa e Botës për të pasurit? Çmimet e biletave ndezin

Rreth gjashtë muaj para nisjes së Kupës së Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada, çmimet e larta të biletave kanë shkaktuar zemërim te tifozët, duke zbehur entuziazmin për turneun. Në fazën më të fundit të shitjes, disa bileta për finalen po shiten mbi 4 mijë dollarë, çka sipas mbështetësve i përjashton financiarisht tifozët tradicionalë.

Reagimet kanë ardhur pas hapjes së skemës së biletave për Shoqatat Anëtare Pjesëmarrëse nga FIFA, e cila u lejon federatave kombëtare t’u shesin bileta tifozëve më besnikë. Organizatat e tifozëve thonë se kjo kategori po përjashtohet financiarisht, pasi për të ndjekur ekipin nga faza e grupeve deri në finale nevojiten të paktën 6,900 dollarë vetëm për bileta, pa përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit.

Shoqatat e tifozëve në Evropë dhe Britani kanë akuzuar FIFA-n për çmime zhvatëse dhe për shfrytëzim të besnikërisë së tifozëve. Në rastin e Anglisë, biletat për finalen mund të arrijnë deri në 8,680 dollarë, ndërsa pagesa kërkohet që në fillim të vitit 2026.

FIFA, nga ana e saj, ka deklaruar se turneu do të jetë i aksesueshëm, duke theksuar ekzistencën e biletave më të lira për fazën e grupeve. Megjithatë, këto bileta nuk janë të disponueshme përmes skemës së federatave kombëtare. Kritikat janë shtuar edhe për vendosjen e çmimeve dinamike për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, një praktikë që sipas tifozëve rrezikon të dëmtojë traditën dhe atmosferën e turneut./K.C/dritare.net