
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, do të paraqitet të hënën në Gjykatën Federale të Manhattanit, ku do të përballet me akuza të rënda për narkoterrorizëm, vetëm disa ditë pasi kapja e tij nga ushtria amerikane shkaktoi pasiguri të thellë për të ardhmen e vendit të pasur me naftë të Amerikës së Jugut.
Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores ndodhen të paraburgosur në Brooklyn, pasi forcat amerikane i kapën në Karakas gjatë një operacioni të papritur fundjave. Të dy pritet të paraqiten në seancën dëgjimore të caktuar për orën 12:00 me orën lokale (17:00 GMT), përpara gjyqtarit federal Alvin K. Hellerstein. Ende nuk është e qartë nëse ata kanë siguruar avokatë apo nëse do të deklarohen fajtorë ose jo.
Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar Maduron një udhëheqës të paligjshëm që nga zgjedhjet e vitit 2018, të cilat u shoqëruan me akuza për parregullsi të rënda. Kapja e tij përfaqëson ndërhyrjen më të diskutueshme të Uashingtonit në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë 37 vite më parë.
Sipas prokurorëve amerikanë, Maduro ka qenë figura qendrore e një karteli të përbërë nga zyrtarë politikë dhe ushtarakë venezuelianë, i cili për dekada ka bashkëpunuar me rrjete të trafikut të drogës dhe organizata të shpallura terroriste nga SHBA, me synimin për të furnizuar tregun amerikan me mijëra ton kokainë.
Maduro u padit për herë të parë në vitin 2020, si pjesë e një hetimi të gjerë për trafik narkotikësh që përfshinte zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë venezuelianë, si dhe grupe guerile kolumbiane.
Në një aktakuzë të re, të bërë publike të shtunën, prokurorët pretendojnë se Maduro ka mbikëqyrur personalisht një rrjet shtetëror të trafikut të kokainës, i cili ka bashkëpunuar me disa nga organizatat më të dhunshme të botës, përfshirë kartelet meksikane Sinaloa dhe Zetas, grupin kolumbian FARC dhe bandën venezueliane Tren de Aragua.
“Si president i Venezuelës dhe sundimtar de facto, Maduro ka lejuar që korrupsioni i lidhur me kokainën të lulëzojë për përfitimin e tij personal, të regjimit të tij dhe të anëtarëve të familjes së tij,” thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Ai përballet me akuza për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës në SHBA, posedim mitralozësh dhe pajisjesh shkatërruese, si dhe komplot për posedimin e tyre. Nëse shpallet fajtor, Maduro rrezikon dekada burgimi deri në burgim të përjetshëm për secilën akuzë.
Prokurorët deklarojnë se aktiviteti kriminal i Maduro-s daton që nga zgjedhja e tij në Asamblenë Kombëtare në vitin 2000, vazhdon gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm (2006–2013) dhe përfshin gjithë periudhën e presidencës së tij pas vitit 2013.
Sipas aktakuzës, gjatë kohës që ishte ministër i Jashtëm, Maduro u ka dhënë pasaporta diplomatike trafikantëve të njohur të drogës dhe ka organizuar mbulim diplomatik për fluturime që transportonin të ardhura nga droga nga Meksika në Venezuelë.
Nga viti 2004 deri në 2015, prokurorët thonë se Maduro dhe bashkëshortja e tij përdorën banda kriminale të sponsorizuara nga shteti për të trafikuar kokainë të sekuestruar, si dhe urdhëruan rrëmbime, rrahje dhe vrasje për të mbrojtur rrjetin dhe për të mbledhur borxhe.
Si president, sipas prokurorisë, Maduro ka drejtuar rrugët e trafikut të kokainës, ka përdorur ushtrinë për të mbrojtur dërgesat, ka strehuar grupe të dhunshme kriminale dhe ka shfrytëzuar objekte presidenciale për transportin e drogës.