Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Luftë apo spektakël politik! Kështu u arrit armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit

Luftë apo spektakël politik!  Kështu u arrit armëpushimi mes

Në përballjen mes Iranit dhe Izraelit, e shoqëruar nga ndërhyrja ushtarake amerikane, duket se politika është kthyer në teatër, e lufta në një skenar të inskenuar. Sulmet ajrore amerikane me bombarduesit B-2 dhe kundërpërgjigjet iraniane e izraelite janë parë si sulme të “telefonuara” – simbolike, me qëllimin për të treguar forcë dhe për të shpallur fitoren përballë publikut vendas.

Diplomacia e fortë e Trump

Përshkallëzimi i shpejtë, nga bombardimet amerikane në objektet bërthamore të Iranit deri te një armëpushim i brishtë mes Izraelit dhe Iranit, mbart firmën e diplomacisë agresive të Donald Trump. Ai e vuri Iranin nën presion të madh për ta detyruar të negociojë, ndërkohë që Katari, me lidhjet e tij të ngushta me të dyja palët, ndërmjetësoi në heshtje.

Putini gjithashtu luajti një rol të heshtur në këtë diplomaci. Thuhet se ai pranoi të bindë Iranin për armëpushim pasi Trump i premtoi se nuk do të kërkonte rrëzimin e regjimit të ajatollahëve – megjithëse publikisht presidenti amerikan kishte lënë të kuptohej të kundërtën.

Kanalet sekrete dhe mesazhet me shkrim

Me udhëheqësit iranianë të goditur nga atentatet izraelite dhe lideri suprem Khamenei i fshehur në bunker, komunikimi i brendshëm në Teheran u ndërpre. Tentativa amerikane për bisedime të drejtpërdrejta në Stamboll dështoi, por kanalet janë ripërtërirë – ndoshta përmes "pizzinove" (mesazhe të shkruara në letër) për të shmangur përgjimin elektronik.

Pas sulmit amerikan mbi objektet në Fordow, Natanz dhe Isfahan me bombat shkatërruese GBU-57, Trump njoftoi Iranin se ndërhyrja ushtarake ishte përfunduar dhe se mund të flitej për armëpushim. Irani reagoi fillimisht me: “Së pari hakmarrja, pastaj bisedimet.”

Reagimet dhe ndërhyrjet ndërkombëtare

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, shkoi në Moskë për të kërkuar mbështetjen e Rusisë. Putin, megjithatë, ofroi vetëm mbështetje politike, jo ushtarake, por ushtroi presion për një zgjidhje paqësore, duke kujtuar rrezikun e një konflikti të gjerë nëse regjimi në Teheran rrëzohej.

Ndërkohë, Trump e përshkroi bisedën me Putinin si të ftohtë dhe tha se nuk kishte nevojë për ndihmën e tij për Iranin, por për atë që Rusia po bënte në Ukrainë. Ai përmendi me shqetësim humbjen e jetëve atje dhe shpresën për një marrëveshje.

Spektakli i fundit i luftës

Irani lëshoi 14 raketa ndaj bazës amerikane në Katar, por lajmëroi paraprakisht për të shmangur viktimat. Të gjitha përveç një rakete u asgjësuan dhe ajo që mbeti ra në një zonë të pabanuar. Trump e përshkroi reagimin iranian si “simbolik” dhe falënderoi Teheranin, duke e quajtur sinjal për të shmangur përshkallëzimin.

Ndërkohë, Katari nisi menjëherë ndërmjetësimin mes SHBA dhe Iranit. Trump kërkoi edhe nga Netanyahu ndalimin e sulmeve, dhe Izraeli, edhe pse me hezitim, pranoi – pasi sipas ushtrisë së tij, pjesa më e madhe e objektivave tashmë ishte arritur.

Një incident i fundit pas shpalljes së armëpushimit u ndërpre nga një ndërhyrje e fortë e Trump, i cili kritikoi ashpër Izraelin – një qëndrim i rrallë për një president amerikan./L.F-dritare.net