Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lufta në Iran! A rrezikohet Shqipëria? Flet ish-ambasador Sokol Gjoka!

Lufta në Iran! A rrezikohet Shqipëria? Flet ish-ambasador Sokol Gjoka!

I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, Sokol Gjoka, ambasador me mbi 30 vite eksperiencë në diplomaci, komentoi situatën e Shqipërisë në kontekstin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe prezencën e muxhahedinëve iranianë (MEK) në kampin e Manzës.

Ai tregoi se numri aktual i pjesëtarëve të MEK në Shqipëri është rreth 3,000, ndërsa shtoi se grupi filloi të vendosej në vend që nga viti 2010, fillimisht me disa qindra persona. “Në fillim ishin më pak, me qindra, dhe pastaj u shtuan u bënë 3,000,” tha Gjoka, duke treguar mënyrën se si grupi u rrit gradualisht me mbështetjen e partnerëve strategjikë.

Ambasadori shpjegoi gjithashtu veprimtarinë e MEK: “Ata përdornin burimet e tyre të informatikës, të internetit, të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve iraniane nga Shqipëria. Nuk ishin sulme të mëdha, por ngacmime, dhe institucionet tona pothuajse nuk e dinin këtë veprimtari të brendshme.” Ai saktësoi se Shqipëria ka marrë masa të forta për të parandaluar që veprimtaria e MEK të bëhet një faktor destabilizues: “U morën masa të forta që ata mos bëheshin protagonistë të përplasjes që ndodhi në vitet 2019-2020.”

Gjoka vlerësoi gjithashtu se Shqipëria nuk është një target kryesor i Iranit. “Mendoj që nuk e ka shumë terezinë Irani për t’u marrë me ne sepse nuk jemi vend i afërt, jemi 2,000-2,500 km larg në vijë ajrore.” Ai shtoi se vendi mbrohet brenda kuadrit të NATO-s dhe nuk ka kapacitete që të jenë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta./K.C/dritare.net