
Kur do të hapet dera e BE-së? Ja si përgjigjet Von der Leyen!
Dritare.net
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, përcolli një mesazh të qartë dhe inkurajues:
"Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian." Ajo e cilësoi progresin e viteve të fundit si "të mrekullueshëm", me një "shpejtësi rekord" dhe një "përshpejtim shumë të vërtetë".
Von der Leyen vlerësoi përpjekjet personale të kryeministrit dhe ekipit të tij, duke theksuar se hapja e 5 nga 6 grup-kapitujve dhe plani për të hapur të fundit këtë vjeshtë, dëshmojnë për këtë ritëm të lartë. Ajo e quajti ambicioz, por të pëlqyeshëm, synimin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027, duke siguruar mbështetjen e plotë të Komisionit.
Presidentja e KE-së u ndal te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili sipas saj ka potencialin të dyfishojë ekonominë e rajonit brenda dekadës. Ajo solli tre shembuj konkretë të përfitimeve të këtij afrimi: së pari, dhënia e 100 milionë eurove si rezultat i progresit në reforma; së dyti, anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që bën transfertat e parave me BE-në më të sigurta dhe më të lira; dhe së treti, marrëveshja për uljen e tarifave roaming.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se kur do të hapet "dera" e BE-së, Von der Leyen theksoi se procesi bazohet në merita. "Këto merita që Shqipëria meriton janë të dukshme tani," tha ajo, duke përmendur shpejtësinë impresionuese të reformave dhe sukseset konkrete si dëshmi të qarta të këtij progresi./E.P-dritare.net

















