
Nga Zefina Hasani
Nuk kisha qenë në një fermë e stallë të mbushur plot me lopë e viça që prej kohëve kur ndiqja nga pas me kërshërinë e fëmijës së vogël tezen, e cila më merrte në punë me vete ndonjëherë, kur unë shkoja për pushime në shtëpinë e saj, në Cërrik. Më dukej se e kisha harruar erën e bajgave dhe zhurmën e mu-ve të të gjitha tonaliteteve, derisa u riktheva pas kaq shumë vitesh përsëri në një realitet të tillë, në një fermë në Garbjan të Lushnjës dhe kuptova që në fakt asgjë s’kisha harruar e se ishte po aq qejf sa edhe atëherë.
As në një fabrikë ku prodhohet kos e djathë nuk kisha shkelur kurrë më që nga vitet kur daja im punonte në një të tillë, në Laç e kur më kënaqte duke më futur nëpër labirintet e fuçive të djathit të freskët, të sapo bërë. Më erdhi ndërmend përnjëherësh ajo kohë, ndërsa endesha nëpër ambientet e fabrikës “Lufra” këtë të shtunë që shkoi.
Kuriozitetin e ndjeva më të madh, si në fermë ashtu dhe në fabrikë, sepse sigurisht që tani jam vajza e madhe, gazetarja që do të kuptojë më tej se ç’sheh syri i një fëmije. E ndoshta dhe sepse proceset e mirëmbajtjes së lopëve dhe e prodhimit të qumështit të tyre kanë ndryshuar krejtësisht. Janë modernizuar e bërë shumë më interesante. Në fabrikë po e po, por edhe në fermë.
Për shembull, lopët ishin me çip, mjelja e tyre s’bëhej më me dorë, siç kisha parë në Cërrik, por me aparatura të posaçme që u viheshin në seri lopëve që rreshtoheshin tek këndi përkatës, ku hynin vetëm pasi kishin kaluar testin se ishin të shëndetshme për t’ua marrë qumështin, pra pa sëmundje e pa efekte mjekimesh. Ky është rregulli strikt i çdo dite për lopët, të cilat së shpejti do t’i nënshtroheshin një sistemi edhe më modern kontrolli e mjeljeje, që do të aktivizohej pas pak ditësh në këtë fermë e në shumë të tjera si ajo.
Nuk mbaj mend mirë nëse kështu ka qenë dhe kur unë isha fëmijë por tani mësova se brenda një ferme, stalle lopësh,veç ambienteve të zakonshme ka edhe kuzhinë ku përgatitet ushqimi i posaçëm (me përzierje të silazhit të barit e misrit, me jonxhën e thatë, miellin e misrit, sojën, himën, miellin e grurit, bërsinë e panxharit, me kripëra e minerale që u japin lopëve energjinë e duhur) ka edhe maternitet ku lopët qëndrojnë që dy muaj para lindjes, sepse nuk duhet të milen, e pothuajse një javë pas lindjes, derisa të rikthehen në formën e duhur. Pastaj mëshqerrat pas lindjes së parë marrin statusin e zonjës lopë e renditen krah të tjerave.
Procesi zinxhir i jetës brenda një ferme që na garanton qumështin e përditshëm e të shumtë, që vjen ashtu i freskët nëpër bidonët e inoksit, në fabrikën e përpunimit, për të plotësuar të gjitha nevojat e njerëzimit, që nëse do të kishte mundësi ta shikonte me sytë e vet procesin e përpunimit të qumështit e gjithë nënprodukteve të tij do të mrekullohej e do ta shijonte edhe më shumë atë çfarë i vjen në dyqan e shtëpi. Sepse, ndërsa do të hante një copë djathë, do të kishte para syve atë detin e madh me djathë të shkrirë, ende në fazën e parë të përpunimit, që duket si magji. Po aq magji sa dhe gjithë proceset që ndodhin brenda një fabrike, nëpër makineritë ku shishet kalojnë me shpejtësi marramendëse si gjeneralë të një ushtrie të pavdekshmeqë shpërndahen anekënd Shqipërisë, për t’i dhënë shije e jetë secilit prej nesh.
Unë shkova në fermë e në fabrikë sepse ma bëri zili udhëtimi i Rudina Xhungës në “Rrugën e qumështit”. Shkova dhe unë në ato gjurmë, për të ndjerë edhe një herë aromat që nuk i kisha harruar aspak nga fëmijëria./ Dritare.net

















