Konjufca: Një emër nga familja Jashari për president!
Dritare.net
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm një emër që mund të vije nga familja Jashari për president shkakton automatikisht pritje pozitive në shoqëri.
“Ky është një konsensus i partive politike (çështja e presidentit). Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari”, ka thënë ai pas përfundimit të konferencës për media me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali.
Konjufca më pas u pyet nëse ka pasur vullnet nga familja Jashari për postin e presidentit.
“Nuk mund të flas për këtë gjë”, ka thënë Konjufca.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para pak ditësh ishte në Prekaz. Ai u shpreh se ishte takuar me Rifat Jasharin, por nuk tregoi nëse është diskutuar çështja e presidentit.
Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 4 mars të zgjedhë presidentin e ri.
Ndërkaq më herët në konferencë për media, Konjufca, duke folur në cilësinë e mazhorancës, ka thënë se nuk kanë dashur që ta propozojnë një emër të njëanshëm për president pasi kjo, sipas tij, do ta mbështeste opozitën për muri.
E pikërisht për këtë arsye, Konjufca u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur rrugën e dialogut.
“E keni të qartë që Kushtetua qëllimisht e ka bërë një dallim të zgjedhjes së Qeverisë dhe presidentit. Ideja bazike e atyre që e kanë hartuar besoj ka qenë që presidenti mos me mujt me u zgjedh me shumicë të thjeshtë, që më pas të ketë diskutime mes partive. E tash po foli në emër të mazhorancës që është prej 66 deputetëve. Jemi bindur që nuk ka mundësi që të propozohet një emër i njëanshëm dhe ta marrim mbështetjen e opozitës. Ndoshta e kemi mirë, ndoshta e kemi gabim, por nuk kemi dashur ta mbështesim për muri opozitën me një emër të përveçëm. Për këtë arsye, Kurti ka takuar dy kryetarët e partive kryesore opozitare”, ka thënë Konjufca.
Sipas Konjufcës, takimet e Kurtit me opozitën janë lajm i mirë për Kosovën.
“Është pjekuri e re institucionale sepse është përpjekje e mirë, e sinqertë që së bashku të mund të ulim ta kuptojmë njëri-tjetrin çka po synojmë sepse keqkuptimet po lindin kur s’po merremi vesh bash mirë. Nuk e ka pasur qasjen mazhoranca që ta shpall një kandidat nga LVV-ja sepse kjo është me qit opozitën para aktit të kryer. Prandaj kemi vepruar në këtë mënyrë”, shtoi ai, kur u pyet nëse ka ambicie për t’u bërë president.
Kurti para disa ditësh ka pasur takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të diskutuar lidhur me çështjen e presidentit. Pas takimeve, ata kanë thënë se vendit i nevojitet një president konsensual.
Deri tash, presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme edhe për një mandat të dytë. Por ish-ambasadori Lulzim Peci në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së është shprehur skeptik se ajo mund ta marrë edhe një mandat të dytë për shkak se nuk ka përfaqësuar unitetin e popullit.