Meksika në kaos. 23 të burgosur arratisen gjatë valës së dhunës
Dritare.net

Autoritetet në Meksikë po kërkojnë 23 të burgosur që u arratisën nga një burg në Puerto Vallarta, gjatë një vale të madhe dhune të shkaktuar nga karteli i drogës Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG).
Sipas zyrtarëve, sulmet nisën të dielën pasi forcat e sigurisë vranë liderin e kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”. Në reagim, anëtarët e kartelit bllokuan rrugë dhe dogjën automjete në disa qytete, përfshirë edhe resortin turistik në bregdetin e Paqësorit.
Gjatë trazirave, persona të armatosur përplasën një makinë në portën e burgut, duke hapur rrugën për arratisjen e 23 të burgosurve. Sekretari i sigurisë i shtetit Jalisco, Juan Pablo Hernández, tha se autoritetet po bashkëpunojnë me shtete të tjera për kapjen e të arratisurve, ndërsa identiteti i tyre ende nuk është bërë publik.
Operacioni për kapjen e “El Mencho”-s dhe dhuna që pasoi kanë shkaktuar më shumë se 70 viktima, mes tyre edhe 25 anëtarë të Gardës Kombëtare.
Të dielën, karteli dogji disa automjete në rrugët e Puerto Vallarta-s, ndërsa turistëve dhe banorëve u është kërkuar të qëndrojnë brenda. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë re të mëdha tymi mbi qytetin turistik.
Disa kompani ajrore pezulluan përkohësisht fluturimet drejt zonës, ndërsa të paktën dy anije të mëdha turistike anuluan ndalesat e planifikuara në Puerto Vallarta.
Qeveria meksikane njoftoi se shumica e bllokadave të rrugëve janë hequr, por sipas mediave vendase, në disa zona të tjera vazhdojnë incidente të dhunshme, me makina të djegura dhe dëmtime të dyqaneve e ndërtesave publike.
“El Mencho” konsiderohej personi më i kërkuar në Meksikë. Nën drejtimin e tij, Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco u shndërrua në një organizatë të fuqishme kriminale ndërkombëtare që vepron në shumë shtete të vendit dhe merret me prodhimin dhe trafikun e drogës, shpesh duke përdorur dhunë ekstreme kundër forcave të sigurisë dhe zyrtarëve shtetërorë./K/C/dritare.net