Drejtoria e Doganave: Lëvizjet e kamioneve përmes pikave të Bllatës dhe Kakavijës
Dritare.net

Pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, njoftoi për masat e ndërmarra për të siguruar qarkullimin e mallrave dhe udhëtarëve. Ai sqaroi se janë orientuar itinerare alternative përmes pikave kufitare Bllatë (Dibër) dhe Kakavijë, ndërkohë që janë shtuar kapacitetet logjistike dhe personeli për të përballuar fluksin e shtuar dhe përshpejtuar procedurat doganore deri në normalizimin e situatës rrugore.
Beja gjithashtu theksoi përdorimin e regjimit të Transitit të Jashtëm (T1) për mallrat që tashmë ndodhen në territorin doganor shqiptar dhe nuk mund të lëvizin për shkak të bllokimit, duke mundësuar që ato të arrijnë destinacionin përmes itinerareve alternative.
"Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.
Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore. Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.
Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri", tha ai./K.C/dritare.net