Na ndiqni edhe në

Shëndet

Farat chia, superushqimi i vogël me përfitime të mëdha për shëndetin

Farat chia, superushqimi i vogël me përfitime të mëdha

Edhe pse të vogla në përmasa, farat chia janë të pasura me fibra (të tretshme dhe të patretshme), proteina, yndyrna të shëndetshme, antioksidantë dhe minerale thelbësore. Sipas dietologut Keith Ayoob, profesor emeritus në Albert Einstein College of Medicine, ato përmbajnë shumë nga lëndët ushqyese që shpesh mungojnë në dietën e përditshme. Dy lugë gjelle ofrojnë rreth 10 gramë fibra dhe 5 gramë proteina, si dhe kalcium, hekur, magnez e kalium.

Farat vijnë nga bima e shkretëtirës Salvia hispanica dhe kanë qenë pjesë e dietës së lashtë azteke në Amerikën Qendrore. Sipas ekspertes së ushqyerjes Wendy Bazilian, studimet tregojnë se ato ndihmojnë shëndetin e zorrëve dhe të zemrës, duke ndikuar pozitivisht në tensionin e gjakut, nivelin e sheqerit dhe kolesterolin. Disa studiues i kanë cilësuar madje si “armë terapeutike kundër çrregullimeve metabolike”.

Ekspertët rekomandojnë që farat të zhyten në lëng përpara konsumit, pasi ato thithin deri në 10 herë peshën e tyre në ujë, duke krijuar një teksturë xhelatinoze që lehtëson tretjen dhe rrit ndjesinë e ngopjes. Megjithatë, ato mund të konsumohen edhe të thata, të spërkatura mbi kos, drithëra, sallata apo të përziera në smoothie, supa e brumëra.


Për një përdorim praktik, ¼ filxhani fara mund të përzihet me një filxhan qumësht ose ujë dhe të lihet për të paktën 10 minuta ose gjatë natës. Ato mund të përdoren edhe si zëvendësues i vezës në gatim apo për përgatitjen e pudingut dhe reçelit natyral.


Specialistët theksojnë se sekreti është konsumimi i rregullt dhe shtimi gradual në dietë, për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave. Farat chia mbeten një zgjedhje e thjeshtë dhe e gjithanshme për të pasuruar ushqimin me vlera të larta ushqyese./K.C/dritare.net