Tirana ka vajza të jashtëzakonshme! Ish-kreu i KiE tenton vetëvrasjen pasi i doli emri në dosjet Epstein
Dritare.net

Ish-kryeministri i Norvegjisë dhe ish-kreu i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, është shtruar në spital pasi dyshohet se ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Mediat norvegjeze raportojnë se ai mori ndihmë mjekësore menjëherë dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Kjo ndodhi, ndërsa policia norvegjeze po e heton atë nën dyshimin për “korrupsion të rëndë”, që lidhet me lidhjet e tij të kaluara me financierin e dënuar amerikan Jeffrey Epstein, i akuzuari si përndjekës dhe shfrytëzues seksual, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019.
Emri i Jagland doli në dokumentet e publikuara nga dosjet e Epstein, ku u zbuluan komunikime mes tyre gjatë viteve të mëparshme. Në një nga email-et e vitit 2012, ish-zyrtari norvegjez i shkruante Epstein se kishte qenë në Tirana dhe përmendte se “ka vajza të jashtëzakonshme”, një frazë që shkaktoi reagime dhe polemika në opinionin publik.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se mes tyre ka pasur komunikime të tjera dhe kontakte gjatë periudhës kur Jagland mbante poste të rëndësishme ndërkombëtare. Pas publikimit të këtyre materialeve, autoritetet norvegjeze kanë nisur hetime për të verifikuar natyrën e marrëdhënieve dhe nëse ka pasur përfitime apo shkelje ligjore.
Vetë Jagland ka mohuar çdo shkelje dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me hetuesit për të sqaruar çështjen.
Në Norvegji dhe në Evropë, rasti ka ngjallur debat të gjerë, pasi Jagland ka qenë një nga figurat më të njohura politike dhe diplomatike në institucionet evropiane./K.C/dritare.net