Këto janë qarqet që do të goditen më rëndë nga moti i keq!
Dritare.net

Shqipëria pritet të përballet me kushte të vështira atmosferike gjatë datave 17 dhe 18 nëntor, ku reshjet e dendura të shiut pritet të rrisin ndjeshëm rrezikun për përmbytje në disa zona të vendit. Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave, i cili ka vënë në alarm strukturat shtetërore. Sipas parashikimit, situata më kritike pritet në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, ku reshjet do të jenë intensive deri në shumë intensive.
Reshje intensive parashikohen edhe në qarkun e Lezhës, ndërsa në Dibër, Durrës dhe Tiranë ato do të jenë mesatare deri në intensive. Autoritetet paralajmërojnë se shtrëngatat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara në zonat urbane.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe lumenjve kryesorë të vendit. Prurjet në lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë pritet të rriten ndjeshëm gjatë ditëve në vijim, duke shtuar rrezikun e daljes së tyre nga shtrati. Në përgjigje të kësaj situate, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i kanë kërkuar bashkive dhe strukturave vendore të marrin masa urgjente.
Këto masa përfshijnë njoftimin e menjëhershëm të popullsisë, blegtorëve dhe bizneseve në zonat e rrezikuara, kontrollin dhe zhbllokimin e kanalizimeve, si dhe vendosjen në gatishmëri të plotë të hidrovoreve dhe sistemeve të furnizimit me ujë dhe energji.
Gjithashtu, është kërkuar monitorim i vazhdueshëm i niveleve të ujit dhe përgatitja për evakuime preventive nëse situata e kërkon. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet zyrtare. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë deklaruar se mbeten në gatishmëri të plotë për të ndihmuar qytetarët në çdo situatë të mundshme./L.F-dritare.net