Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Java e lajmeve të mira, pensione dhe paga më të larta, hapet nënkapitulli i fundit i BE-së!

Rama: Java e lajmeve të mira, pensione dhe paga më të larta,

Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, Kryeministri Edi Rama sjell një panoramë të zhvillimeve më të rëndësishme të javës, të cilat shënojnë hapa të rëndësishëm në ekonominë, integrimin europian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Nga projektbuxheti 2026 dhe nisja e rritjes së përvitshme të pensioneve, te reforma e pagave dhe vendosja e pagës minimale 500 euro, java është karakterizuar nga vendime me ndikim afatgjatë në mirëqenien sociale. Po aq i rëndësishëm është momenti historik i hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave me BE-në, që i hap rrugë fazës përfundimtare të procesit të integrimit. Në planin e jashtëm, zhvillim kyç ishte mbledhja e parë ndërqeveritare Shqipëri–Itali, që formalizon thellimin e partneritetit strategjik përmes 16 marrëveshjeve të reja. Ndërkohë, prezantimi i projektit “OSHEE Charge” sjell një hap tjetër drejt modernizimit dhe tranzicionit energjetik, duke vendosur themelet e një rrjeti kombëtar për karikimin e automjeteve elektrike.

"Përshëndetje! Ky është episodi i 6-të i sezonit të 5-të, i podkastit “Flasim” dhe fillojmë me shënimet e javës.

Projektbuxheti 2026 – nis zbatimi i rritjes së përvitshme të pensioneve

Kjo ka qenë një javë lajmesh të mira, me kryelajmin për vendosjen e pensioneve në fokusin e mandatit të katërt dhe të angazhimit financiar në buxhetin afatmesëm për të arritur objektivat ambiciozë të shpallur paraprakisht, kur e kërkuam mandatin e katërt, - e thënë ndryshe për çuarjen e pensionit mesatar urban të plotë në 400 euro dhe të pensionit rural mesatar minimal në 180 euro.


Reforma e pagave 2026 - rritje pagash për punonjësit

Po ashtu, lajmi për pensionet është pasuar nga lajmi për rritjen e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo dhe e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha, e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale nga janari i vitit që po troket, kur paga minimale në sektorin publik dhe në atë privat, pra kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.

17 Nëntor - hapja e grupkapitullit të fundit për negociatat me BE-në.

Një tjetër lajm i mirë i javës, ka qenë lajmi për hapjen e grupit të kapitullit të fundit për negociatat me Bashkimin Europian në 17 nëntor, një moment absolutisht i shumëpritur, por edhe historik në kuptimin që me këtë grupkapitull hapen përfundimisht të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord prej 12 muajsh. Një shpejtësi unike në procesin e të gjitha integrimeve të mëparshme europiane, që do të thotë, asgjë pra nuk na ndal dhe kemi kapërcyer të gjitha pengesat që kishin të bënin me çeljen e të gjithë kapitujve, tani duhet të kapërcejmë të gjitha pengesat që kanë të bëjnë me mbylljen e kapitujve. Po ndërkohë, ekonomia rritet, pensionet dhe pagat rriten, investimet vendase dhe të huaja shtohen, mbështetja për më të dobëtit dhe për pacientët me sëmundje të rënda zgjerohet, ndërkohë që asnjë taksë nuk parashikohet të rritet dhe puna e institucioneve përmirësohet hap pas hapi.

Mbledhja e parë ndërqeveritare Shqipëri- Itali

Këtë javë kemi pasur edhe mbledhjen e parë mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, në historinë tonë, një ditë absolutisht e veçantë në të gjithë historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë, në një Shqipëri dhe për një Shqipëri që sot gjendet në një stad si kurrë më parë përsa i përket dinjitetit dhe respektit ndërkombëtar.

Mbledhja e përbashkët, një format i mirënjohur për publikun shqiptar, falë mbledhjeve të përbashkëta mes qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, apo të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut ishte një moment shumë i rëndësishëm i thellimit të bashkëpunimit strategjik me Italinë, ku u materializuan 16 marrëveshje të reja, të cilat janë të lidhura me një volum të konsiderueshëm financimesh, projektesh dhe punësh të përbashkëta.

Nis projekti “OSHEE Charge”- rrjeti kombëtar i karikimit

Këtë javë u prezantua edhe projekti më i ri kombëtar për karikimin e mjeteve elektrike, një hap i madh drejt të ardhmes, një shërbim i ri publik i kompanisë sonë të shpërndarjes OSHEE dhe një hap tjetër drejt bashkëpunimit me qytetarët shqiptarë për të rritur cilësinë dhe për të rritur shpejtësinë përmes së cilës Shqipëria shkon drejt objektivit madhor të sovranitetit energjetik, pa rënduar mbi qytetarët, po përkundrazi, duke iu gjendur pranë si partner në këtë rrugë të përbashkët.

Kjo do të thotë konkretisht që shërbimi i karikimit të makinave elektrike nga OSHEE-ja, “OSHEE Charge” do të ofrohet me të njëjtin çmim që ofrohet energjia elektrike për konsumatorët familjarë në të gjitha rastet kur do të bëhet në parkingun pranë banesës, ndërkohë që ai do të ofrohet me një çmim të rregulluar dhe të arsyeshëm në pikat që OSHEE-ja do të ndërtojë dhe do të bëjë të aksesueshme për publikun.", tha Rama./K.C/dritare.net