
KAS rrëzon PD-në: Nuk ka përsëritje zgjedhjesh!
Dritare.net
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri zgjedhjesh në katër qarqe kryesore të vendit: Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Fier. Me këtë vendim, KAS miratoi përfundimisht rezultatet e certifikuara më herët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke përjashtuar mundësinë e përsëritjes së votimit.
Anëtari i KAS-it, Ilirian Rusmajli, ishte i pari që mbërriti për të marrë pjesë në vendimmarrjen pas rinumërimit të pjesshëm të kutive të votimit në këto qarqe. Rinumërimi prodhoi vetëm një ndryshim mandati brenda listës së Partisë Socialiste në qarkun Fier, pa prekur përbërjen e përgjithshme të mandateve.
Pavarësisht këtij rezultati, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Marash Logu, kërkoi pavlefshmëri të procesit zgjedhor, duke përmendur 27 qendra votimi me parregullsi në Elbasan dhe një sërë problematikash edhe në qarqet e tjera. Sipas tij, këto parregullsi e justifikonin ribërjen e zgjedhjeve.
KAS i rrëzoi të gjitha pretendimet, duke i hapur rrugë vetëm një mundësie për Partinë Demokratike: ankimimin në Kolegj Zgjedhor.
Ndërkohë, kandidati demokrat në Durrës, Aulon Kalaja, protestoi sot përpara KQZ-së, duke kërkuar rinumërim të plotë të të gjitha kutive në qark dhe jo vetëm një rinumërim të pjesshëm siç ndodhi. I pyetur nga gazetarët, Kalaja pranoi se përpjekja e tij për më shumë transparencë në votën preferenciale u sabotua nga brenda forcës së tij politike, pavarësisht mbështetjes që kishte nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Kalaja nuk e konsideron të përfunduar betejën. Ai paralajmëroi një kallëzim penal në SPAK kundër numëruesve që, sipas tij, kanë manipuluar votat në favor të një kandidati tjetër të Partisë Demokratike në Durrës.
Procesi zgjedhor i 11 majit vazhdon të prodhojë tensione politike, por me vendimin e sotëm të KAS-it, rezultati në këto katër qarqe konsiderohet zyrtarisht i mbyllur nga ana institucionale./K.C/dritare.net

















