
Jetëgjatësia në Shqipëri! Burrat jetojnë më gjatë në Kukës, gratë në Tiranë
Dritare.net
Qarku i Kukësit është ai ku burrat kanë jetëgjatësinë më të lartë, sipas të dhënave nga INSTAT, me 77,4 vjet në vitin 2021, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte ai i Gjirokastrës, me 70,0 vjet.
Po për vitin 2021, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për gratë ishte Tirana, me 81,6 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte Gjirokastra, me 74,2 vjet. Këto janë të dhënat e fundit mbi jetëgjatësinë e shqiptare, sipas shkrimit të revistës Monitor, e cila ka publikuar të dhënat.
Ndryshimi i madh në jetëgjatësinë e shqiptarëve ndodhi në vitet 1950-1970, ku jetëgjatësia e një shqiptari mesatarisht u rrit nga 54.4 vjeç në 72.3, ku gratë gjithmonë duket se jetojnë disa vite më shumë se burrat.
Nëse i krahasojmë këto të dhëna me ato të vendeve fqinjë si Italia p.sh, ku jetëgjatësia mesatare e një njeriu llogaritet të jetë 82 vjeç, jetëgjatësia e shqiptarëve mbetet e ulët. Italia bazohet shumë tek dieta mesdhetare, shumë vaj ulliri dhe ulli, perime, peshk, pak mish, ndaj duke qenë në pellgun e Mesdheut edhe shqiptarët duhet të kërkojnë një jetë më cilësore, e cila do të mundësojë vite më të gjata dhe më të shëndetshme. Në vendin e parë në Evropë sa i takon jetëgjatësisë, kujtojmë që është Spanja, me 83 vjet./ J.H/dritare.net

















