Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Inxhinieri Reso: Ja pse Shkodra nuk u përmbyt nga hapja e portave!

Inxhinieri Reso: Ja pse Shkodra nuk u përmbyt nga hapja e portave!

I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga, inxhinieri Bardhyl Reso në një lidhje direkte nga SHBA foli për ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në ditët e fundit në vendin tonë, një prej të cilave janë edhe përmbytjet në veriun e vendit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Si inxhinier Reso shpjegon rrethanat të cilat sollën përmbytjet si dhe cilat do të ishin masat që mund të ndërmerren në mënyrë që të evitohen këto përmbytje.

"Të gjithë njerëzit duhet të kenë parasysh diçka. Kur ndodhin përmbytje nuk ka rëndësi vetëm sasia e përgjithshme e reshjeve që kanë rënë brenda 24 orëve ose 48 orëve.

Rëndësi themelore në përmbytjet e stinës së vjeshtës ose të fund vjeshtës por edhe të stinës së pranverës kur shkrin bora janë çfarë intensiteti kanë këto reshje. Është krejt ndryshe kur bien 200 milimetra shi në 24 orë dhe krejt ndryshe kur bien 200 milimetra shi për 5 orë, sepse kur bien 200 milimetra shi në 5 orë ka rrezik që përmbytjet të jenë dy herë më të mëdha megjithëse sasia e ujit është po e njëjta.

Kjo është një tregues se çfarëdo mase që mund të marrësh do të ketë përmbytje sidomos kur ndodhin këto fenomene si ky që sapo përshkrova që në fakt ishte tipike edhe për përmbytjen që ka ndodhur ditët e fundit. Edhe fatkeqësia që ndodhi ku humbën jetën babë e bir në përruan e thatë, ndodhi sepse ishin shira me një intensitet jashtëzakonisht të lartë. Sepse kur bie shi me ngadalë toka një pjesë të mirë e absorbon, pjesa tjetër kalon në përrenj dhe në lumenj, ndërsa kur shiu bie me intensitet shumë të lartë mundësia e thithjes natyrale që bën toka ulet shumë kështuqë shiu mbush përrenjtë, të cilët dalin nga shtrati i tyre me një shpejtësi shumë të madhe dhe krijojnë ato përmbytje.

Pse? Çajnë argjinatura, sepse megjithëse fusha e Nënshkodrës që në kohën e komunizmit ka patur një sistem bonifkimi jo te keq por gjithnjë që në atë kohë ndodhnin përmbytje kur binin shira me intensitet shumë të lartë, deri arrinte të çahej argjinatura e gjatë, sepse vërshimi i ujit ishte mbi atë që ishte llogaritur. Ndërtimet hidroteknike kanë gjithnjë një llogaritje që në gjuhën teknike është prurja për të cilën e pranon si prurje maksimale, njëherë në 10, 100 ose njëherë në 1000 vjet. Kështuqë nëse argjinaturat bëhen për një prurje njëherë në 10 vjet më e madhja që mund të jetë mund të qëllojë që brenda këtyre 10 viteve mund të jetë një prurje më e madhe nga ajo që ke llogaritur dhe ndodh që të çahen argjinaturat.

Përroi ku ndodhi fatkeqësia njerëzore as nuk ka lidhje fare me kaskadën e Drinit.

Nga Fierza nuk është bërë asnjë shkarkim, sepse Fierza ishte nën nivel dhe gjithë ujërat që kanë ardhur në lumë deri në Fierzë ato të gjitha kanë përfunduar në liqen dhe kështu u rrit disa metra kuota e liqenit të Fierzës. Përmbytjet kanë qenë ujëra të përrenjve që derdhen në Drin, nga Fierza deri në Koman dhe nga Komaani deri në Vaun e Dejës, janë disa dhjetëra përrenj të cilët në momentet që ka shi shumë intensiv ato mbushen plotësisht dhe çojnë sasi shumë të mëdha prujesh në lumin e Drinit.

Shkarkim u bë pak nga Komani, dhe shkarkimi tjetër u bë nga Vau i Dejës sepse në këto dy liqene nivelet mbahen maximale, ato nuk kanë mundësi. Më e shumta është një metër nën nivel sepse po ul më tepër humbet nga fuqia që merr nga turbinat dhe kështu ato nuk kanë për qëllim të mbrojnë prurjet e tepërta prandaj janë vendos portat dhe tunelet e shkarkimit që kur kanë ujëra mbi sasinë që mund të kalojë në turbina dhe liqeni është plot nuk mund të lejosh ujin të kalojë mbi diga sepse shkatërrohen digat. Prandaj hapen portat ose hapet tuneli i devijimit të ujit. Janë hapur portat e Vaut të Dejës dhe pjesërisht është hapur një tunel në Koman por shkarkimi i prurjeve ka qenë 1300 m3 dhe 500m3 që lëshonin turbinat.

Fusha e Nënshkodrës ka dy probleme. Ka Drinin ka edhe Bunën. Nuk është problem vetëm Drini por edhe Buna. Madje shumë herë është diskutuar për një marrëveshje me qeverinë e Malit të Zi për të bërë një thellim në Bunë por nuk e di si ka shkuar ky projekt. Një rrugë që unë mendoj se do të ndihmojë në uljen e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës do të jetë sistemimi i Bunës, është faktori numër 1 që do të ndihmojë", u shpreh Reso në Dritare TV./Xh.Xh/dritare.net