Historia e dallëndyshes faqebardhë, të Shkodrës
Dritare.net
Nëse ke në plan të vizitosh Velipojën, patjetër duhet të shohësh edhe rezervatin natyror. Po pate fat do të shohësh shpendin më të bukur dhe të rrallë që të kanë zënë sytë, dallëndyshen faqebardhë. Kur ta shohësh do ta kuptosh edhe pse ka këtë emër. Biologia Aurora Piroviq tregoi për Dritare Tv se përse është kaq i veçantë ky shpend dhe çfarë fshihet tjetër në rezervatin natyror të Velipojës, pjesë e zonës së mbrojtur në lumin Buna.
“Te zona e kënetave në këtë pyll rri edhe një shpend shumë i veçantë. Është prezenca e të vetmes koloni folezuese në zonën e Liqenit të Shkodrës. Është dallëndyshja faqebardhë. Nuk kemi fat ta shohim tani se është shpend migrator. Është prezente në të njëjtën periudhë të vegjetacionit të zambakëve të ujit dhe ajo është një bimësi shumë e bukur. Emri dallëndyshe faqebardhë është ndoshta për shkak të ngjyrave të puplave të këtij shpendi, e zezë, gri shumë e errët te pjesa e barkut dhe vetëm pjesa e faqeve është e bardhë. Kjo e bën të dallueshme nga pulëbardhat e tjera, pulëbardha e zakonshme e detit apo pulëbardha ballëlartë.”, u shpreh zonja Piroviq në DritareTv./K.C/dritare.net