
Haxhimakulle, tradita shkodrane që vazhdon!
Dritare.net
Në këtë emision, gazetarja Rudina Xhunga ishte në Shkodër. Tradita që kthehet në markë këtë herë shijoi një ëmbëlsirë fantastike, e cila të magjeps tërësisht me shijen e saj.
E shkrifët dhe e butë plot sherbet, haxhimakullja është një ndër ëmbëlsitë më mahnitëse të amvisave të zonave të veriut të Shqipërisë. Tradita e haxhimakulles unike shkodrane këtë herë vjen e servirur si marka e pastiçerisë së qytetit të Shkodrës. Ilda Bushati, zonja e pastiçerisë "Flo" në Shkodër tregoi se si një ide që lindi në Amerikë, falë zemrës dhe dashurisë së madhe për vendin, u kthye në një biznes në Shkodër. E veçanta e kësaj ëmbëlsire është tradita që ka vazhduar në breza. Teze Myzi e ka trashëguar këtë nga stërgjyshja e saj, e ndërsa me shumë dashuri e përkushtim ajo ka arritur ta sjell deri në ditët e sotme në pastiçerinë e nipit.
"E veçantë dhe unike është kur haxhimakullja bëhet nga dora e teze Myzit, se ajo i bën me dashurinë e të gjitha viteve më përpara. Ajo i bën me dashurinë e nënës, me dashurinë e tezeve, me dorën unike të çdo gruaje shkodrane. Haxhimakullja është dashuri. U riktheva në Shkodër pasi dashuria për vendin tonë ishte më e madhe. Ne shkuam në Amerikë dhe përfunduam atje shkollën e lartë. Unë kam mbaruar studimet për ekonomik. Por burri im ishte ai që kishte dëshirën të hapte një biznes në Shkodër. Pas shumë përpjekjesh, por edhe duke pasur eksperiencën tonë në Amerikë, si edhe duke parë atje pastiçeritë e populluara, ku njerëzit mbanin radhën në pastiçeritë e Bruklinit, u kthyem këtu me atë ide.
Emri "Flo" lidhet me pasticerinë tonë të preferuar në Bruklin dhe erdhëm në Shkodër me emrin dhe eksperiencën nga atje. Pastiçieri jonë i parë ishte turk, sepse edhe atje në Bruklin pastiçeria ishte një kombinim greko-turk. Menuja e tyre ishte e pafund në pasta dhe ëmbëlsira të larmishme. Të njëjtën gjë bëm edhe ne këtu, por krahas tyre kemi vendosur edhe ëmbëlsirat tona tradicionale, si haxhimakulle, bakllava e të tjera.",- shprehet drejtuesja e pastiçerisë në Shkodër./M.T/dritare.net

















