Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gonxhe reagon për debatin për Spaçin: Banjot dhe tarraca nuk do të ndërtohen!

Gonxhe reagon për debatin për Spaçin: Banjot dhe tarraca nuk do

Pas debateve të shumta në rrjetet sociale mbi punimet në burgun famëkeq të Spaçit, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar se ringritja e banjove dhe tarracës mbi to nuk është pjesë e projektit të miratuar, dhe nuk do të realizohet.

Në reagimin e tij, ministri Gonxhe shkruan:

“Duke i uruar të gjithëve një fundjavë të mbarë, nisur nga disa debate që vijojnë edhe në mediume publike e rrjete sociale, shpresoj se pamjet nga Spaçi provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese. ✔️

Mbi disa pikëpyetje shtesë:
Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë!
Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik).
Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim.
Sqarimi i MEKI ka qenë shterrues dhe poashtu masat nga IKTK.
Faleminderit për mirëkuptimin tërë të interesuarve që me të drejtë u alarmuan nga dy foto të punimeve fillestare. Ndjesë për shqetësimin, edhe pse në çdo rast zbatimi do të respektonte projektin dhe kushtet e kontratës!”
Reagimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë, aktivistë dhe ish-të përndjekur politikë që kanë kërkuar transparencë dhe ruajtje të kujtesës historike të këtij vendi simbol të diktaturës komuniste.

Ministri Gonxhe garanton se çdo ndërhyrje do të jetë e bazuar në dëshmi historike, do të jetë e kthyeshme dhe transparente, duke theksuar angazhimin për ta trajtuar Spaçin me dinjitetin që i takon në kujtesën kolektive shqiptare./K.C/dritare.net