Gjyqi në Hagë, Prokurorja e GJykatës Speciale kërkon 45 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së
Dritare.net

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Nga sot deri më 18 shkurt, palët do të paraqesin deklaratat e tyre përmbyllëse.
Seanca e sotme ka nisur në orën 10:00, me praninë në sallë të të katër ish-krerëve të UÇK-së. Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar tetë orë kohë për paraqitjen e deklaratave përmbyllëse dhe ka bërë të ditur se Prokuroria kërkon një dënim të përgjithshëm prej 45 vitesh burg për katër të akuzuarit.
Sipas Prokurorisë, rreth 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë keqtrajtuar në dhe rreth 50 kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeprokurorja Kimberly West tha se Prokuroria kërkon vendim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vitesh.
West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë dhe shpallur vendimin. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe funksionojnë si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, me seli në Holandë dhe me staf ndërkombëtar./L.F-dritare.net