Na ndiqni edhe në

Bota

Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit pas 45 vitesh. Çfarë ndodhi vërtet në vitin 1981!

Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit pas 45 vitesh. Çfarë


Qeveria e Spanjës ka bërë publike 153 dokumente të klasifikuara që lidhen me tentativën për grusht shteti të 23 shkurtit 1981, një nga momentet më kritike në historinë moderne të vendit. Vendimi synon të hedhë dritë mbi ngjarjen dhe të zbehë teoritë konspirative që kanë qarkulluar për dekada.

Publikimi i dosjeve përkoi me vdekjen e udhëheqësit të grushtit të shtetit, Antonio Tejero Molina, i cili u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare.

Si ndodhi tentativa për grusht shteti?
Më 23 shkurt 1981, një grup oficerësh të armatosur të drejtuar nga Tejero hynë me forcë në sallën plenare të Parlamentit spanjoll, duke kërcënuar deputetët me armë zjarri në momentin kur po votohej për formimin e qeverisë së re. Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i demokracisë së brishtë dhe rikthimi i një regjimi autoritar, vetëm gjashtë vite pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco.

Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit pas 45 vitesh. Çfarë

Fotografia e Tejeros me pistoletë në dorë, ndërsa deputetët fshiheshin nën banka, mbetet një nga imazhet më të forta të asaj periudhe.

Grushti i shtetit dështoi pasi mbreti i atëhershëm, Juan Carlos I, iu drejtua kombit përmes një mesazhi televiziv, duke dënuar rebelët dhe duke urdhëruar forcat e armatosura të qëndronin në kazermat e tyre. Qëndrimi i tij u konsiderua vendimtar për mbrojtjen e rendit kushtetues.

Çfarë përmbajnë dosjet e reja?
Dokumentet e publikuara përfshijnë raporte policore dhe gjyqësore, transkripte bisedash mes zyrtarëve, si dhe reagime të qeverive të huaja ndaj zhvillimeve dramatike të asaj dite. Interesi ishte aq i madh, sa faqja zyrtare e qeverisë ku u publikuan dokumentet pësoi mbingarkesë të përkohshme.

Megjithëse dosjet nuk përmbajnë zbulime tronditëse, ato konfirmojnë disa elementë të rëndësishëm, përfshirë përfshirjen e gjashtë anëtarëve të shërbimeve sekrete në komplot. Një dokument tjetër tregon se forcat e sigurisë kishin vlerësuar se një ndërhyrje me forcë për të rimarrë parlamentin mund të shkaktonte nga 80 deri në 110 viktima.

Mes materialeve të publikuara gjenden edhe mesazhe mbështetëse nga qeveri të huaja pas dështimit të grushtit të shtetit. Në një mesazh në spanjisht, Elizabeth II i shkruante mbretit Juan Carlos: “Të gjithë ne në Britaninë e Madhe jemi të lehtësuar që dimë rezultatin përfundimtar.”

Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit pas 45 vitesh. Çfarë

Përballë teorive konspirative
Për dekada me radhë kanë qarkulluar teori që hedhin dyshime mbi rolin e mbretit, duke sugjeruar se ai mund të ketë pasur dijeni paraprake për komplotin, apo madje të ketë qenë i përfshirë. Të tjera teori pretendojnë se tentativa ishte një inskenim për të forcuar demokracinë.

Qeveria aktuale socialiste e drejtuar nga Pedro Sánchez e cilësoi mbajtjen sekrete të këtyre dokumenteve si një “anomali historike” që duhej korrigjuar. Sipas saj, deklasifikimi nuk paraqet rrezik për askënd dhe ndihmon në çmontimin e narrativave të rreme mbi një nga episodet më të rëndësishme të historisë së Spanjës demokratike./K.C/dritare.net