Durim Bami kërkon transferim nga burgu “313”: Këtu duan të më vrasin
Dritare.net

Një ditë pas ekstradimit nga Dubai në Shqipëri, Durim Bami i është drejtuar Drejtorisë së Burgjeve me kërkesën për të ndryshuar vendin e qëndrimit, duke kërkuar të mos mbahet në burgun “313” në Tiranë, por të transferohet në burgun e Fushë-Krujës. Mbrojtja e Bamit argumenton se jeta e tij rrezikohet në burgun aktual.
Bami akuzohet nga SPAK për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve, duke përfshirë edhe tentativa ndaj tij nga grupe të tjera kriminale, si “Martinaj”, “Avdylaj” dhe “Bajraj”.
Avokati i Bamit nënvizon se në burgun “313” ndodhen persona që në të kaluarën kanë siguruar kushte për eliminimin fizik të tij, një fakt i njohur edhe nga mediat dhe i dokumentuar në procedimet penale përkatëse.
“Në takimin e sotëm me të arrestuarin, Durim Bami rezulton në gjendje jo të mirë shëndetësore, mbahet në kushte të vështira dhe ndodhet në stres të vazhdueshëm për shkak të pranisë së disa të arrestuarve me akuzën e vrasjes mbetur në tentative ndaj tij”, thotë avokati në argumentimin e kërkesës për ndryshim qelie.
Aktualisht, Drejtoria e Burgjeve nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare për kërkesën e Bamit./K.C/dritare.net