
Gjykatësi më i mirë në botë, Frank Caprio, ndërron jetë në moshën 88-vjeçare
Dritare.net
Gjykatësi i njohur amerikan dhe yll i mediave sociale, Frank Caprio, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, pas një beteje me kancerin. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një njoftimi në Instagram, ku ai u përkujtua për “ngrohtësinë, humorin dhe besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve”.
Me një karrierë mbi 40-vjeçare në Rhode Island, Caprio u bë i famshëm falë programit televiziv Caught in Providence, ku drejtësia e tij e shoqëruar me humor dhe dhembshuri fitoi zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën. Shpesh, ai u jepte qytetarëve të zakonshëm një mundësi të dytë, duke marrë parasysh rrethanat e tyre personale.
Pamjet nga salla e gjyqit, ku ai ftonte fëmijë të uleshin në karrigen e tij ose jepte vendime të pazakonta plot humanizëm, u bënë virale dhe i sollën atij mbi 3.4 milionë ndjekës në rrjetet sociale. Për këtë arsye, ai u quajt shpesh “gjykatësi më i mirë në botë”.
Gjatë viteve të transmetimit, Caught in Providence u nominua për tre çmime Emmy, ndërsa vetë gjykatësi Caprio mori dy nominime vitin e kaluar. Kompania prodhuese Debmar-Mercury e përshkroi atë si një “zë unik të dhembshurisë dhe arsyes së shëndoshë”.
Në vitin 2023, Caprio njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer dhe se ishte “i përgatitur të luftonte sa më fort që të mundte”. Në një nga postimet e tij të fundit, ai u kërkoi ndjekësve lutje ndërsa ishte rikthyer në spital pas një përkeqësimi të gjendjes shëndetësore.
Frank Caprio do të mbahet mend jo vetëm si një gjykatës, por si një figurë publike që frymëzoi njerëzit nëpërmjet mirësisë dhe humorit të tij. Ai la pas gruan e tij Joyce, me të cilën kishte gati 60 vite martesë, pesë fëmijë, shtatë nipër e mbesa dhe dy stërnipër./L.F-dritare.net

















