
Gjykata liron Jamarbër Malltezin me garanci pasurore prej 3 milionë lekësh
Dritare.net
Gjykata e Posaçme ka vendosur lirimin nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Malltezi ka qenë nën këtë masë sigurie për rreth dy vite.
Shfuqizimi i masës u bë i mundur pas vendosjes së një garancie pasurore në vlerën prej 3 milionë lekësh.
Në seancën e sotme, Gjykata ka rrëzuar gjithashtu kërkesën për dorëheqje të gjyqtares Elsa Ulliri, e cila po shqyrton çështjen.
Malltezi, së bashku me Sali Berishën dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, janë nën hetim nga SPAK për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Malltezi dhe Bektashi për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Hetimet për këtë çështje janë ende në vijim./L.F-dritare.net

















