
Gazetari i përgjigjet Blushit: Mos dezinformo! E vërteta është e dokumentuar në DritareTV
Dritare.net
Nga Igli Çelmeta
Përgjigje ndaj akuzave të Partisë së Lirisë dhe sekretarit të saj të përgjithshëm, Tedi Blushi ndaj meje
Më datë 2 korrik 2025, në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë së Lirisë, sekretari i saj i përgjithshëm, z. Tedi Blushi, hodhi akuza të pabazuara ndaj meje, duke më përfshirë në listën e ashtuquajtur "gazetarëve mercenarë", që sipas tij janë përdorur nga SPAK për çështjen Meta dhe se kemi fabrikuar lajme për arrestimin e Metës para se ai të arrestohej.
Në këtë dalje publike, Partia e Lirisë publikoi një foto timen të shkëputur nga një lajm i transmetuar në televizionin Dritare TV, datë 3 maj 2024, dhe PL pretendoi se unë, si "gazetar i SPAK", paskam ditur për arrestimin e z. Meta dhe se e kam paralajmëruar atë.
E vërteta është krejtësisht ndryshe.
Çdokush mund ta verifikojë përmbajtjen e plotë të intervistës sime të dhënë më 3 maj 2024, ku jo vetëm që tregohemi të kujdesshëm në raportimin e informacionit, por në mënyrë të prerë themi se janë të pabazuara spekulimet për një datë të mundshme arrestimi. Deklarata ime është e qartë: Askush nuk e di se çfarë vendos SPAK, përveç vetë SPAK-ut.
Këshilla ime për Partinë e Lirisë: Përpara se të hidhni akuza të padrejta ndaj gazetarëve, verifikoni faktet, dëgjoni me kujdes se çfarë është thënë dhe mos dezinformoni publikun.
Për më tepër, intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë, të publikuar në YouTube më 3 maj 2024: /Marrë nga Facebook-u i autorit

















